TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Mars 2024, 14:04

Rithemelimi kërkon vulën, Gjekmarkaj letër Gjykatës së Apelit: Boll e zvarritët çështjen

Shkruar nga Pamfleti

Rithemelimi kërkon vulën, Gjekmarkaj letër Gjykatës së

Deputeti i Pasrtisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj i ka dërguar një letër Gjykatës së Apelit që të marrë një vendim për konfliktin për vulën e partisë. Nëpërmjet kësaj letre ai kërkon që t’i kthehet legjitimiteti PD-së.

"Drejtësia nuk duhet të sillet si palë politike. Zvarritja, perceptim se organet e drejtësisë janë aleate të Ramës", thuhet në letër.

Gjekmarkaj ka shtuar edhe se fati i Shqipërisë varet nga fati i opozitës.

LETRA

Lënda: Mbi nevojën për trajtimin me përparësi dhe paanësi të çështjes së “Partisë Demokratike të Shqipërisë

Drejtuar: Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Prej shumë kohesh një sagë e pandershme luhet mbi fatin Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës, në dyer gjykatash e cila si një “patate e nxehtë” kalon sa në një nivel tjetër gjykimi duke mos e ndarë ligjërisht atë që është e qartë në gjithçka e për gjithkënd. Për një parti politike në çdo manual gjenden plot përkufizime të cilat konvergojnë në faktin se aty ku është anëtarësia, trupa politike, deputetet, grupi parlamentar, delegatet që mblidhen në Kuvend Kombëtar, Institucionet që ai prodhon nga Kryetari, Kryesia, Këshilli Kombëtar, aty është sigla që e formojnë dhe përkufizojnë atë. Gjykatat kanë detyrën e shenjtë e të vështirë të japin drejtësi. Me këtë vetëdije PD ka votuar Reformën në Drejtësi dhe ka mbështetur drejtësinë e re. Drejtësia nuk mundet e nuk duhet të sillet si palë politike. Ajo duhet të jetë e baraslarguar njësoj nga të gjithë. Mënyra se si është trajtuar çështja e ‘vulës’ se PD-së i ka shndërruar në perceptim organet e drejtësisë për një kohe të gjatë në aleate të pushtetit të Edi Ramës.

Opozita në çdo vend demokratik është ana tjetër e sistemit, balancuesja dhe kontrolluesja e tij. Anarkia legale për fatin e Opozitës e kompromenton rënde çdo gjykatës që është marrë me këtë çështje duke mos e zgjidhur atë në mënyrë të qartë e përfundimtare duke bashkuar aktin juridik me vullnetin e anëtarësisë. Së fundmi Gjykata e Lartë përcaktoi me kompetencë dhe profesionalizëm sinoret ku Gjykata e Apelit duhet të mbështetet për ta zgjidhur në mënyrë definitive këtë çështje.

Fati i Opozitës lidhet drejtpërdrejt me fatin e Shqipërisë, me jetën demokratike në vend, me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit, me parimet universale të një demokracie liberale e funksionale. Kjo çështje nuk mund të zvarritet dhe nuk mund të manipulohet sepse do të ishte një atentat i mirëfilltë, një puç konstitucional në jetën politike të vendit, një prishje e rregullave demokratike të lojës, ndërhyrje në garën politike në favor të pushtetit, duke denatyruar thelbin e sistemit dhe duke minuar jetën institucionale në vend.

“Paqja kërkon katër kushte themelore: të vërteten; drejtësinë; dashurinë; dhe lirinë”, na mësonte Papa i madh polak Gjon Pali. Prandaj dhe Shqipëria pret prej jush! Opozita është ajo që na ka munguar gjatë e pa të cilën ishim një popull i shtypur, një popull pa sistem drejtësie të vërtetë. Sot ju gjyqtarë të nderuar mund të kontribuoni që demokracia shqiptare të mos merret zvarre, duke u ngritur në lartësinë e misionit fisnik që kryeni, pa u bërë palë me armiqtë e opozitarizmit. Duke shpresuar se ju do ti ktheni legalitetin PD dhe Opozitës si nocion juridik, duke njohur atë që populli dhe qytetarët ja kanë dhenë prej kohesh, ju nderoni togën, sensin e drejtësisë dhe na motivoni për t’ju mbështetur sa më shumë, pa kompromis, në pavarësinë tuaj.

E vërteta për Opozitën është e vërtetë për Shqipërinë dhe shtetin ligjor e demokratik. Ajo nuk mund te merret peng. Asnjeri prej jush nuk mund e duhet të jete kaq guximtar sa ti dëmtoje interesat madhore të Shqipërisë, popullit të saj dhe demokracisë, duke zvarritur një çështje që ka interes madhor publik. Nëse nuk respektohet drejtësia shtetet kthehen në banda të mëdha hajdutesh. Vjedhja e legalitetit të Opozitës do të ishte atentati më i madh ndaj demokracisë shqiptare. Një guxim kesodore nuk duhet ta ketë asnjë qytetar i kësaj Republike që aspiron lirinë, demokracinë, prosperitetin, anëtarësimin në BE dhe forcimin e miqësisë me SHBA- atë.

vula e pd gjekmarkaj

Lini një Përgjigje