TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Korrik 2023, 18:00

Rezoluta/ Kuvendi vlerëson punën e KLSH, kërkon të hapen dosjet e koncesioneve

Shkruar nga Pamfleti
Rezoluta/ Kuvendi vlerëson punën e KLSH, kërkon të hapen
Arben Shehu dje në Kuvend

Dje në seancë zoti Shehu u pyet mbi auditimin e koncesioneve në shëndetësi. Ai u shpreh se auditimi ka qenë i vështirë sepse SPAK ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin...

Kuvendi ka vlerësuar punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pas seancës maratonë, sot në orët e para të mëngjesit Kuvendi miratoi një rezolutë për KLSH ku vlerësohet puna e bërë deri tani nga kreu i saj Arben Shehu, si dhe jepen disa detyra për vitin aktual.

Kuvendi ka vlerësuar KLSH për kryerjen e auditimeve në pajtueshmëri me standardet dhe praktikat ndërkombëtare të auditimit, duke bërë të mundur përfundimin dhe evadimin e 177 auditimeve, të ushtruara në 205 subjekte në nivel vendor dhe qendror.

Po ashtu vlerësohet fakti se ka pasur 5420 rekomandime për institucionet publike të audituara, nga të cilat 52 janë masa për përmirësime ligjore, 3283 masa organizative, 1047 masa disiplinore dhe administrative, 686 janë masa për efektet negative për shkak të parregullsive dhe 352 janë masa për shpërblim dëmi.

Një vlerësim tjetër është për intensifikimin e veprimtarisë së zbulimit dhe ndëshkimit të korrupsionit, duke paraqitur pranë organit të prokurorisë 4 kallëzime dhe indicie penale, për 14 zyrtarë të niveleve të ndryshme, prej të cilëve 4 kanë mbajtur pozicione drejtuese.

Sipas Kuvendit, KLSH ka intensifikuar të bashkëpunimin ndërkombëtar, nëpërmjet finalizimit të 2 marrëveshjeve bilaterale, përkatësisht me SAI-n e Norvegjisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut, me theks në fushën e auditimit të performancës, mjedisit dhe IT-së.

Por, Kuvendi ka dhënë dhe disa detyra. Ajo që bie në sy është se kërkohet të hapen dosjet e koncesioneve. Dje në seancë zoti Shehu u pyet mbi auditimin e koncesioneve në shëndetësi. Ai u shpreh se auditimi ka qenë i vështirë sepse SPAK ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin, në kuadër të hetimeve që po kryen. Megjithatë Kuvendi kërkon fokus të veçantë te PPP-të.

Kuvendi kërkon që Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2023, të vazhdojë punën në këto drejtime:  Të rrisë ekspertizën profesionale në veprimtarinë audituese, mbi fusha të tilla si qëndrueshmëria e financave publike, efektiviteti dhe eficenca e menaxhimit të programeve të qeverisjes, kryesisht në ato me partneritet publik-privat, zhvillimet dixhitale, etj; Të programojë periodikisht auditime në të gjithë institucionet e pavarura që raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë, dhe gjetjet e këtyre auditimeve t’ia paraqesë komisioneve parlamentare, bazuar edhe në analizën e risqeve të tyre. Të nxisë auditimet e teknologjisë dhe informacionit dhe auditimet e mjedisit për sa i takon fushave që lidhen me sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbetjeve dhe financimin e mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta për Kontrollin e Lartë të Shtetit u miratua me 78 vota pro, 11 kundër dhe 1 abstenim. /Pamfleti

klsh rezoluta

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje