TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Tetor 2023, 19:12

Revolta e opozitës në Kuvend, Nikolla dhe deputetët e PS me “pushime”; priten sërish tensione

Shkruar nga Pamfleti
Revolta e opozitës në Kuvend, Nikolla dhe deputetët e PS me
Tensionet e javës që shkoi në Kuvend

Seanca e radhës pritet të jetë akoma dhe më e nxehtë. Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK dhe akuzon mazhorancën se fshihet pas këtij akti...

Tensionet e javës që shkoi në Kuvend janë shfrytëzuar maksimalisht nga deputetët e mazhorancës për të pushuar pak. Duke qenë se “lodhen” çdo ditë për qytetarët, Nikolla dhe krerët e komisioneve kanë vendosur që të mos zhvillojnë asnjë mbledhje, duke qenë se rendi i ditës të enjten që lamë pas nuk u miratua.

Më 19 tetor, grupi i Berishës dhe ai i Bardhit vendosën të ndërmarrin akte ekstreme në Kuvend, duke mos lejuar mbajtjen e seancës. Ata bllokuan vendet ku qëndrojnë ministrat dhe kjo bëri që seanca të dështojë. Revolta e tyre erdhi sepse mazhoranca nuk pranoi të ngrinte komisionet hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Drejtuesja e seancës Ermonela Felaj e mbylli mbledhjen dhe njoftoi se do të kishte seancë të hënën. Dje nuk pati seancë dhe pritet që ajo të mbahet të enjten.

Por skandali është se duke qenë se nuk u miratua rendi i ditës nuk ka pasur mbledhje të komisioneve parlamentare. Dje dhe sot deputetët e kanë bërë pushim, teksa as nesër dhe në ditët në vijim nuk është parashikuar të ketë mbledhje. Pra duket se po ndodh ajo që pritej. Mazhoranca mundohet t’i shfrytëzojë skenarët e opozitës. Një vit më parë kur bllokohej seanca, PS i kalonte ligjet për 5 minuta dhe të gjithë iknin në shtëpi. Duket se këtë herë janë pezulluar komisionet, ndërkohë që vetë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla po shijon një vizitë në SHBA.

Por seanca e radhës pritet të jetë akoma dhe më e nxehtë. Sipas burimeve seanca do mbahet më 30 tetor, si ditë dedikur zgjedhësve. Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK dhe akuzon mazhorancën se fshihet pas këtij akti. Ai dhe 22 deputetë të tjerë janë përjashtuar nga seancë për shkak të incidenteve të javës që shkoi dhe sinjalet janë se ata do të tentojnë të hyjnë në seancë me forcë. Pra me shumë gjasë do ketë tensione dhe përplasje me përfaqësuesit e Gardës. Nga ana tjetër deputetët që nuk janë dënuar pritet të krijojnë sërish tensione në seancë. Berisha nesër mbledh Kryesinë e grupit të tij dhe aty do gatuhet skenari.

Deputetët e përjashtuar janë: Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Lindita Metaliaj, Ramadan Likaj, Luan Baçi, Lefter Gështenja, Ina Zhupa, Helidon Bushati, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Greta Bardeli, Sorina Kote, Kastriot Piroli, Kasëm Mahmutaj. /Pamfleti

Lini një Përgjigje