Ish-kryeministri Sali Berisha ka paditur për shpërdorim detyre gjyqtaren që kopsiti akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij.
Ishin avokatët e tij që njoftuan se kanë kallëzuar në SPAK Irena Gjokën, me argumentin se ka shkelur Kushtetutën duke vendosur masë sigurie ndaj Berishës. Gjoka pranoi kërkesën e SPAK për të lënë në detyrim paraqitje Berishën, por ky i fundit pretendon se u shkel Kushtetuta sepse ai ka imunitet deputeti.
Ndërkohë avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë kërkuar që gjyqtarja të përjashtohet nga çështja dhe në orën 18.00 kreu i gjykatës do të japë vendimin nëse do pranohet kërkesa.
“Sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pasi vendimi bie ndesh me Kushtetutën. Ne kemi kërkuare përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Ne po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtimin e saj. Jemi për një proces të rregullt dhe një mbrojtje efektive. Do të presim vendimin e gjykatës”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Sa i takon dosjes së SPAK dhe akuzave ndaj Berishës, prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK.
Më tej prokuroria deklaron se në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
“Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”, shprehet SPAK.
Lini një Përgjigje