TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Tetor 2023, 14:06

Refuzoi të paraqitej në GJKKO, Berisha: Masa antikushtetuese, do shkoj vetëm me një kusht!

Shkruar nga Pamfleti
Refuzoi të paraqitej në GJKKO, Berisha: Masa antikushtetuese, do shkoj
Sali Berisha

Ish kryeministri Sali Berisha refuzon të përballet individualisht me drejtësinë për akuzën e korrupsionit pasiv të ngritur nga SPAK. 

Berisha e quajti masën ndaj tij antikushtetuese dhe tha se do paraqitet në GJKKO vetëm nëse gjykatësja e heq.

Në konferencën për median që nisi 30 minuta para orarit që ishte thirrur në gjykatë për tu pyetur lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’ Berisha përsëriti se akuzat e tij janë politike.

Është ndryshe kjo, nuk është se unë nuk pranoj të shkoj në Gjykatë. E deklaroj me sinqeritet se unë sa herë të thirrem do të shkoj, Të heqë gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë shkoj apo nuk shkoj unë,. Vendosja e kësaj mase pa marrë leje nga Parlamenti është përdhosje e ligjeve, se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë, nuk ia lejoj vetes që të shkel Kushtetutën.

Deputeti të ruajë veten të punoj, por në këtë mënyrë si e bën Rama është republika e kanabisit, e drogës”, tha Berisha.

Në një kohë që ish-kryeministri Sali Berisha është në hetim, nuk ka përjashtuar as mundësinë e thirrjes së protestave.

I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Berisha u shpreh se të gjitha opsionet janë në tryezë, pasi sipas tij, “Rama dhe skapistët po u bëjnë gjyqin reformave të suksesshme të PD”.

Asnjë gjë nuk është jashtë tavolinës. Të gjitha janë në tryezë. Ne, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik. Kur Edi Rama, me dy skapistë dhe një tjetër, vënë në tryezë reformat e suksesshme, sepse ajo ekonomi, për dijeninë tuaj, atë vit që janë emetuar bonot, jo për shkak të bonove, ka pasur një rritje prej 8.3 përqind sipas institucioneve ndërkombëtare.

U them atyre që kapin penën dhe shpifin duke cituar dacibaon e prokurorisë, vetëm sa baltosni moralin tuaj sepse një gazetar është i detyruar që të paraqesë, nëse i intereson e vërteta, të dy variantet. Të dy palët.

Krijojnë narrativa nga më primitivet, ky djalosh me 113 metër katror, doli me 5.2 milionë euro. Gjithçka e bazuar në shpifje, gjithçka e bazuar në turpin e fshehjes së dokumenteve. Gjithçka e bazuar në manipulimin e dokumenteve.

Se një djalosh tjetër, në të njëjtat kushte, absolutisht mund të dilte të paktën edhe 20 përqind më shumë. Por ky zgjodhi atë rrugë”, tha Berisha.

Më 21 tetor 2023, kur u mësuan masat e sigurisë, ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi të firmosë procesverbalin e policisë për njohjen me masën e sigurisë.

Një ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për akuzën 'korrupsion pasiv'. Policia e Shtetit ka tentuar mbrëmjen e kaluar, por edhe të shtunën, që ta njoftojë ish-kryeministrin me masën e sigurisë, por Berisha i ka shmangur. 

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”.  Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për 'korrupsion aktiv' dhe 'pastrim parash' .

sali berisha spak gjkko

Lini një Përgjigje