
Do bëjmë histori me anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në fjalimin që mbajti në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku ka mbledhur kandidatët për deputet dhe zyrtarë të PS-së, në një festë të fitores së zgjedhjeve të 11 majit.
Rama tha se për Partinë Socialiste, qëllimi nuk është vetë partia apo fitorja në zgjedhje, por misioni historik që ajo ka për të përmbushur në shërbim të vendit.
Ai theksoi se fitoret nuk duhet të përdoren për të mposhtur kundërshtarët, por për të realizuar aspiratat kombëtare, mes të cilave përfshiu edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
“Partia nuk është qëllim, por mjet për të luftuar për qëllimet. As fitorja në zgjedhje nuk është qëllim në vetvete, por për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet.
Fitoret nuk na duhen për të mundur të tjerët, ky nuk është sport edhe pse ngjan shumë me sportin. Fitoret na duhen për të përmbushur misionin historik që kemi, për të ndryshuar Shqipërinë, për të zhvilluar ekonominë, për të garantuar drejtësinë, përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, forcuar sigurinë, për të rritur reputacionin ndërkombëtar të atdheut tonë dhe për të bërë histori me anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Lini një Përgjigje