Amerika nuk foli për Ramën, por përgëzoi fituesit në Belize, Trinidad dhe Tobago, Singapor, Rumani, etj...
Shtetet e Bashkuara vijojnë të injorojnë Edi Ramën për fitoren në 11 maj. Ndonëse sot kryeministri dhe besnikët e tij do të festojnë mandatin e katërt, as ambasada amerikane në Tiranë, as Departamenti i Shtetit nuk kanë dërguar asnjë mesazh përgëzimi për rezultatin.
Në kontrast të plotë me këtë qëndrim, Uashingtoni ka reaguar brenda pak orësh pas zgjedhjeve në vende të tjera – nga Kanadaja e Singapori, te Ekuadori te Rumania. Vetëm në dy muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë përgëzuar zyrtarisht liderë të zgjedhur rishtazi si: John Briceño, Belize (14 mars); Daniel Noboa, Ekuador (17 prill); Kamla Persad-Bissessar, Trinidad dhe Tobago (29 prill); Mark Carney, Kanada (30 prill); Anthony Albanese, Australi (3 maj); Lawrence Wong, Singapor (4 maj); Nicușor Dan, Rumani (20 maj).
Në të gjitha rastet, urimet janë publikuar nga Sekretari i Shtetit ose Ambasadat përkatëse, shpesh të shoqëruara edhe me përgëzime nga senatorë amerikanë. Por në rastin e Edi Ramës, SHBA ka zgjedhur të heshtë.
Pse kjo heshtje?
Zyrtarisht, nuk ka një qëndrim të bërë publik. Por këtu ka dy elemente: Ose SHBA-së nuk i intereson më Shqipëria, ose nuk i intereson Edi Rama. Dhe sinjalet janë se është kjo e fundit.
Dhe arsyeja nuk është vetëm dosja e famshme “McGonigal”, e cila mbetet ende e hapur. Burime të ndryshme diplomatike flasin për një mosbesim të ngrirë ndaj kryeministrit shqiptar, një figurë që, ndonëse në retorikë është aleati më i zjarrtë i Amerikës, në prapaskenë ka bërë manovra të shumta për të pozicionuar veten sipas interesave të radhës.
Sa ishte Biden, tentoi ta mbajë mirë me të. Kur u përfol se Trump do fitonte, i akordoi Jared Kushner-it ishullin e Sazanit dhe iu serviles administratës republikane, megjithëse në mandatin e tij të parë e kishte ironizuar publikisht vetë Trumpin.
Në përpjekje për të rifituar terren tek republikanët, Rama tentoi që para zgjedhjeve të siguronte edhe një vizitë në Uashington, pasi na premtoi një “surprizë të madhe” para fushatës. Por ajo vizitë nuk ndodhi kurrë.
Me ftesa në forume globale, samite dhe intervista me media perëndimore, Edi Rama ka kultivuar mitin e një kryeministri që “ka derë të hapur” kudo. Por kur vjen momenti për një akt formal, si urimi për fitoren në zgjedhje, heshtja nga partneri më i rëndësishëm tregon kufijtë realë të këtij ndikimi.
Liderët që kanë marrë urime nga administrata “Trump”
14 mars- Shtetet e Bashkuara përgëzojnë John Briceño për rizgjedhjen e tij të suksesshme për një mandat të dytë si Kryeministër i Belizes.
17 prill- Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, përgëzoi Presidentin e Ekuadorit Daniel Noboa për fitoren në zgjedhje.
29 prill- Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Kamla Persad-Bissessar për zgjedhjen e saj si Kryeministre e Republikës së Trinidadit dhe Tobagos
30 prill- Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzuan kryeministrin kanadez Mark Carney, për fitoren në zgjedhje.
3 maj- Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e uroi kryeministrin australian Anthony Albanese për fitoren e tij në zgjedhje.
4 maj- Shtetet e Bashkuara kanë përgëzuar Kryeministrin e Singaporit Lawrence Wong dhe Partinë në pushtet të Veprimit Popullor (PAP) për fitoren.
20 Maj- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bukuresht publikoi një mesazh duke uruar presidentin e zgjedhur rumun Nicușor Dan për fitoren e tij në garën presidenciale. Mesazhi u pasua më vonë nga një mesazh i ngjashëm nga një grup prej gjashtë senatorësh amerikanë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje