TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Mars 2026, 21:58

Qoshet e errëta të Kolegjit të Europës dhe hija mbi Shqipërinë; çfarë fshihet pas shkollës që stërvit "mafien" e eurokratëve?

Shkruar nga Pamfleti

Qoshet e errëta të Kolegjit të Europës dhe hija mbi

Skandali që ka përfshirë Kolegjin e Europës, një nga institucionet më prestigjioze për formimin e elitave të Bashkimit Europian, duket se ka shtrirë efektet e tij edhe në Shqipëri...

Skandali që ka përfshirë Kolegjin e Europës, institucionin që formon elitën e ardhshme të BE-së, po hedh hije edhe mbi Shqipërinë. Sipas ‘Le Figaro’, projekti për kampusin në Tiranë lidhet me vendime të përshpejtuara dhe dyshime për devijim fondesh publike, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën, ndikimin politik dhe mënyrën si ndërthuren interesat europiane me ato të brendshme në vend...

Skandali që ka përfshirë Kolegjin e Europës, një nga institucionet më prestigjioze për formimin e elitave të Bashkimit Europian, duket se ka shtrirë efektet e tij edhe në Shqipëri.

Sipas një artikulli të publikuar nga ‘Le Figaro’, arrestimi dhe dorëheqjen e ish-rektores Federica Mogherini, kanë nxjerrë në pah një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën e funksionimit të institucionit dhe projektet e tij jashtë Belgjikës, përfshirë edhe kampusin e hapur në Tiranë.

Kolegji i Europës, i themeluar në vitin 1949, konsiderohet një nga qendrat më prestigjioze për formimin e elitave europiane, me një rrjet ish-studentësh që dominojnë institucionet e BE-së, firmat ligjore dhe strukturat lobuese. Studentët paguajnë rreth 29 mijë euro në vit dhe jetojnë në një mjedis që, sipas artikullit, krijon një “frymë korporative” që shpesh tejkalon normat tradicionale diplomatike.

Në këtë kontekst, projekti për hapjen e një kampusi në Shqipëri shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë, por që është shoqëruar me vendime të shpejta dhe jo gjithmonë transparente. Sipas ‘Le Figaro’, gjithçka nisi në mars 2023, kur komisioneri europian Olivér Várhelyi njoftoi hapjen e kampusit në Shqipëri brenda një viti, pa konsultim të plotë me strukturat drejtuese të Kolegjit.

Për të përmbushur këtë afat, Mogherini dhe stafi i saj u angazhuan intensivisht për realizimin e projektit, duke u mbështetur edhe në marrëdhënien e saj të hershme me kryeministrin shqiptar Edi Rama, që daton që nga viti 2014.

Megjithatë, sipas artikullit, pikërisht këtu lindin dyshimet kryesore. Një hetim i organizatave investigative në Shqipëri ka zbuluar se rreth 17 milionë euro të përdorura për projektin e Kolegjit të Europës ishin fillimisht të destinuara për ndërtimin e një kampusi të ri për Universitetin Publik të Tiranës.

Këto fonde ishin premtuar pas protestave të mëdha studentore të vitit 2018, ku mijëra studentë kërkuan përmirësim të kushteve dhe investime në arsimin publik. Sipas raportimeve, fondet u riorientuan përmes një memorandumi të nënshkruar nga Edi Rama, Federica Mogherini dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Pavarësisht kësaj, godina e re e Kolegjit ende nuk ka përfunduar dhe dy brezat e parë të studentëve zhvillojnë mësimin në ambientet e universitetit publik shqiptar, çka ka shtuar kritikat për mënyrën e menaxhimit të projektit.

Artikulli shkon më tej, duke përshkruar Kolegjin e Europës si një “objekt diplomatik të paidentifikuar”, ku aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë përpiqen të ushtrojnë ndikim. Përmenden raste të financimeve nga Kina, aktivitete të organizuara nga Turqia dhe vendime të diskutueshme në drejtimin e institucionit, që kanë ngritur shqetësime për autonominë e tij.

Në këtë kuadër, rasti i Shqipërisë shihet si një shembull konkret i ndërthurjes së interesave politike, financiare dhe institucionale në një projekt që fillimisht u paraqit si pjesë e procesit të integrimit europian.

Në përfundim, ‘Le Figaro’ ngre pyetje të hapura mbi përgjegjësitë për përdorimin e fondeve dhe për mënyrën se si është realizuar projekti në Shqipëri. Çështja pritet të ketë ndikim jo vetëm në debatin e brendshëm politik, por edhe në perceptimin e standardeve të qeverisjes dhe transparencës në procesin e integrimit europian të vendit./Pamfleti

shqipëria kolegji europës

Lini një Përgjigje