Sekretari i PD, Flamur Noka deklaron se opozita do të vijojë me protesta, duke e konsideruar këtë si mjetin kryesor përballë qeverisë. Noka u shpreh se “në autokraci apo regjime hibride, rruga e vetme është përballja dhe protesta”.
Noka thotë se opozita ka ngritur prej kohësh shqetësime për korrupsionin, krimin dhe funksionimin e institucioneve. Sipas tij, këto probleme po reflektohen edhe në qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë. Ai shtoi në A2Cnn se vendi nuk po avancon në procesin e integrimit.
Sipas Nokës, opozita e konsideron kryeministrin përgjegjës për situatën politike dhe për tensionet në vend. Ai thekson se në kushte të tilla nuk mund të ketë zgjedhje të besueshme dhe kërkon një zgjidhje politike që garanton standarde zgjedhore dhe rikthen procesin e integrimit.
Ai njofton se opozita do të zhvillojë një seri protestash për të rritur presionin e brendshëm, ndërsa përmend edhe rolin e faktorëve të jashtëm në zhvillimet politike.
Protesta e 22 marsit paraqitet si pjesë e kësaj strategjie të zgjeruar të opozitës.
Noka: Ndihemi mirë në aspektin politik sepse po vërtetohen të gjitha ato që kemi thënë ne nga faktori ndërkombëtar dhe po ngrihen si alarme edhe nga ana e tyre; ndihemi keq kur shohim se vendi ynë është duke u rrokullisur në honet e korrupsionit, krimit dhe autokracisë, duke mos bërë hapa para drejt integrimit. Ne duke qenë se kemi konstatuar prej kohësh problematikat dhe kemi atakuar prej kohësh Edi Ramën si faktorin kryesor destabilizues të vendit dhe fajtorin për të gjitha problematikat e Shqipërisë, ne kemi vendosur vetëm një rrugë: në autokraci apo regjime hibride, rruga e vetme është përballja dhe protesta. Nuk mund të flasësh për zgjedhje në autokraci elektorale. Këtë nuk po e thotë më Sali Berisha, por po e thonë ndërkombëtarët. Ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie dhe gjetja e një zgjidhjeje politike që të ketë dy prioritete: institucionalizimin e zgjedhjeve të lira dhe të zhbllokojë procesin e integrimit që e ka bllokuar Edi Rama. Opozita ka deklaruar që do të ketë maratonë protestash duke shtuar presionin e brendshëm, nga ana tjetër faktori i jashtëm që po ia ngushton lakun Edi Ramës.
Lini një Përgjigje