Refuzimi i kësaj jave i kërkesës së presidentit amerikan për Hormuzin është i jashtëzakonshëm. Por BE-ja është ende në mëshirën e ngjarjeve…
Reagimi ishte i shpejtë, i prerë dhe çlirues. Njëri pas tjetrit, aleatët evropianë të Donald Trumpit hodhën poshtë kërkesën e presidentit amerikan për t’u përfshirë në luftën e tij në Lindjen e Mesme.
Nga Varshava në Madrid, liderët e kontinenteve - si miqtë më të afërt të Uashingtonit, ashtu edhe skeptikët më të mëdhenj ndaj Trump-it - u bënë bashkë për të dhënë mesazhin: “Kjo nuk është lufta jonë!”.
Refuzimi kolektiv i kësaj jave ndaj kërkesës së Trump për të hapur me forcë Ngushticën e Hormuzit - nën kërcënimin e një të ardhmeje “të keqe” për aleancën e NATO-s - ishte i jashtëzakonshëm për nga forca dhe unanimiteti.
Kjo ishte veçanërisht e spikatur pas dy javësh ndarjesh kaotike midis kryeqyteteve evropiane lidhur me luftën e tij kundër Iranit. “Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk na u konsultuan përpara kësaj lufte”- tha kancelari gjerman Friedrich Merz.
“Pyetja se si Gjermania mund të përfshihet ushtarakisht as që shtrohet”- shtoi ai. Italia, Franca, Greqia dhe Spanja bënë refuzime të ngjashme. Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, deklaroi se Britania e Madhe “nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë”.
Edhe vendi si Polonia, tradicionalisht partneri më besnik transatlantik i Uashingtonit, e përjashtoi mundësinë e bashkimit me armatën e propozuar nga Trump. Përballë një konflikti ku rrezikon të ketë pak ndikim por shumë interesa në lojë, Evropa ka gjetur një zë të përbashkët dhe një mesazh të përbashkët - një mesazh që kontraston me ndarjet e thella të dy dekadave më parë gjatë luftës në Irak dhe që tregon një besim në rritje, se përulja ndaj Trumpit nuk është opsioni i vetëm në dispozicion.
Pyetja që mbetet pezull është se sa do të zgjasë ky unitet. A po shkon BE-ja drejt autonomisë strategjike që kërkojnë prej kohësh Franca dhe kombet me ide të ngjashme, dhe nëse Evropa mund t’i përshtatet botës së re konfrontuese të krijuar nga presidenti amerikan.
Liderët e BE-së mblidhen sot në Bruksel për një samit, ku shumë shpresojnë se uniteti do të ruhet, pasi konflikti e ekspozoi në fillim cënueshmërinë e bllokut në mbrojtje, diplomaci dhe furnizime me energji.
Samiti i planifikuar prej kohësh supozohej të fokusohej në mënyrën se si të rifillonte ekonomia e stagnuar e bllokut, por Irani dhe Trump kanë rrëmbyer vëmendjen kryesore. 27 liderët që po përgatiten për bisedime të zgjatura mbi konfliktin dhe rregullimet e mundshme afatshkurtra për krizën energjetike.
“Nuk është më një samit për ndryshime strukturore ekonomike afatgjata. Ne po mbajmë një samit emergjence për krizën e Iranit”- thotë një zyrtar i lartë i BE-së. Diplomatët e vendeve anëtare thonë se pyetja kryesore, është nëse ndarjet e thella, të maskuara nga uniteti i sapogjetur, do të rishfaqen shpejt në çështje që variojnë nga prania ushtarake e BE-së në Gjirin Persik e deri te rritja e ndihmës shtetërore.
Për pjesën më të madhe të vitit të parë të mandatit të dytë të presidentit amerikan, BE-ja ishte mësuar t’u përgjigjej krizave të imponuara nga Trump me buzëqeshjet e detyruara të uljes së tensioneve dhe përpjekjet e përsëritura për të gjetur një konsensus të pasigurt.
Blloku e gjeti një mënyrë për të kaluar kërcënimet e Trump ndaj NATO-s, ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, luftën e tarifave dhe provokimet e tij ndaj Grenlandës.
Por pyetja e Iranit prek çështjen ekzistenciale me të cilën përballet BE-ja: si të hartohet një e ardhme e pavarur në hijen e një presidenti amerikan të paparashikueshëm dhe agresiv, dhe çfarë vjen më pas pas 8 dekadash të prioritetit të aleancës transatlantike mbi çdo gjë tjetër.
Presidenti Emmanuel Macron ka thënë në të kaluarën se administrata Trump është “haptazi antievropiane”, se ajo tregon përbuzje për BE-në dhe dëshiron shpërbërjen e saj.
Ndërsa këtë javë ai deklaroi se anijet franceze mund të vendosen për të shoqëruar cisternat në Hormuz vetëm kur situata të jetë qetësuar, duke përjashtuar ndërhyrjen e llojit që kërkon Trump.
Megjithatë, ai që ra në sy ishte refuzimi i prerë i Merz ndaj kërkesës së Trump - të cilin disa ministra të jashtëm të BE-së e cilësuan si “shantazh” - duke pasqyruar një vetëdije më të gjerë brenda unionit se ka “vija të kuqe” gjithnjë e më të qarta për vendet evropiane.
Ndërsa konflikti i Iranit ka kaluar nga një fushatë bombardimi amerikano-izraele në një konflikt rajonal total pa një fund të qartë, kryeqytetet evropiane janë bërë më besimplota në kundërshtimin e Trump-it dhe kritikave të tij të ashpra ndaj partnerëve të NATO-s.
Zemërimi për vendimin e Trump për të braktisur diplomacinë dhe për të sulmuar Iranin është i madh, sepse shumë zyrtarë evropianë e shihnin marrëveshjen e vitit 2015 për programin bërthamor të Teheranit, si një nga arritjet më me ndikim të politikës së jashtme të bllokut.
Gati të gjitha qeveritë anëtare të BE-së mbeten gjithashtu të palëkundura në mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe presidentin Zelenskyy, pavarësisht preferencës së dukshme të Trump për Putinin.
Tani diplomatët e BE-së, e theksojnë këmbënguljen e tyre të përbashkët se nuk do të shkojnë në luftë për të ndihmuar Trumpin të rregullojë një problem, për të cilin ata thonë privatisht se ishte një rezultat lehtësisht i parashikueshëm i sulmeve të tij fillestare ndaj Iranit.
Por në të vërtetë ka pak fusha ku blloku është në sinkronizim në përgjigjet e tij praktike ndaj konfliktit. Evropa e importon rreth 90 për qind të naftës dhe gazit të saj, duke e bërë atë shumë më të cënueshme se SHBA ndaj rritjes së çmimeve të energjisë të shkaktuar nga konflikti.
Më përçarëse nga të gjitha do të ishin diskutimet për një ide të hedhur nga kryeministri belg Bart De Wever për një “normalizim” të marrëdhënieve me Moskën me qëllim rifitimin e qasjes në eksportet e lira të energjisë ruse, një qëndrim që mund të nxisë liderët pro-Kremlinit si Viktor Orbán.
Uniteti i BE-së në refuzimin e kërkesave të Trump për Hormuzin, shënon kundërshtimin e tij më të fortë që nga kriza e Grenlandës në janar, e cila përforcoi marrëveshjen e gjerë se Evropa duhej të përshpejtonte reduktimin e rreziqeve nga Amerika e Trump-it, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, ishte i pari që dënoi luftën e Trumpit si “të paligjshme”, duke u ofruar aleatëve të tij në BE një qasje alternative ndaj ndikimeve shkatërruese të administratës amerikane.
Megjithatë, shtetet si Balltiku, që e shohin Uashingtonin si mburojën e tyre të vetme reale kundër Rusisë, e konsiderojnë Trump-in si gjithçka tjetër veçse jo një aleat të papërfillshëm.
Edhe zyrtarët nga vendet që janë më të interesuara për zhvillimin e shpejtë të autonomisë strategjike, janë të vetëdijshëm se Trumpi ruan shumë opsione për të shkaktuar ndëshkime të dhimbshme kundër BE-së, siç e tregoi vendimi i tij për të pezulluar inteligjencën ushtarake për Ukrainën marsin e vitit të kaluar.
Pavarësisht kundërshtimit të tyre kolektiv, liderët e BE-së mbeten në një krizë ekonomike dhe diplomatike me pak opsione të mira. Josep Borrell thotë se blloku, i cili është përpjekur të koordinojë zyrtarisht politikën e tij të jashtme që nga viti 1992, ka ende një “strukturë të pamjaftueshme” për t’u përballur me kriza të tilla si lufta e Iranit.
Për sa kohë që Evropa mbetet e paaftë për të penguar Rusinë pa Amerikën, ajo nuk do të jetë në gjendje të bashkohet rreth përdorimit të peshës së saj ekonomike si një mjet të politikës së jashtme.
Siç u shpreh një tjetër diplomat i lartë i BE-së:“Ne nuk kemi qenë në gjendje ta kthejmë cisternën e naftës në një skaf të shpejtë, dhe tani cisterna e naftës ka mbetur e bllokuar në Hormuz…”./Pamfleti nga “Financial Times”
Dhe pasi të mbarojne sherret ne Lindjen e Mesme, Eurokurva do i dhuroje Cmimin Nobel me motivacionin e Bashkim it të Europianeve që do i nxjerrin syte njeri tjetrit tere jeten si perhere. Urra!
Ja ja, das is gut material.