Pse Ilir Meta e fsheh emrin në fletën e votimit
Një debat i ashpër u zhvillua dje në KQZ ndërmjet Ilirjan Celibashit dhe përfaqësuesit të PD-së, në lidhje me mungesën e emrit të Ilir Metës në fletën e votimit.
Celibashi mbrojti idenë se ka qenë vetë udhëheqësi legal i koalicionit “Bashkë Fitojmë” që nuk ka dashur ta vendos emrin e tij në fletën e votimit.
E kështu i vetmi subjekt pa emër, do të jetë grupimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës, edhe pse ata janë dy emrat më të njohur të politikës që së bashku bëjnë më shumë se gjysmë shekulli të ngulur në jetën e shqiptarëve.
Është si një karma që kthehet, kjo meseleja pa emër, kur Ilir Meta ishte kryeministër, e një nga njerëzit e tij më të afërt sot, ishte këshilltar imazhi i Fatos Nanos.
Në një fushatë zgjedhore rreth vitit 2001, zyra e Nanos kishte gjetur edhe këngët që do të shoqëronin liderët ndërsa shkonin në podium për të folur.
Për Nanon, kishin zgjedhur hitin e Jennifer Lopezit “Let’s get loud”, ndërsa për Metën, atë të grupit gjerman Modern Talking: “No face, no name, no number”. Stafi i Nanos në atë kohë, shpotiste për gjetjen me gazetarët, duke insistuar se ajo ka pasur idenë e kryetarit të PS-së, i cili e konsideronte kryeministrin e tij, një personazh pa identitet.
Dhe ja erdhi dita, kur Ilir Meta, edhe pse e quan veten një “të fortë” që “thyen në mes më të fortin”, ka frikë të vendosë emrin e tij në fletën e votimit, ku kërkon vota për tu zgjedhur ai dhe njerëzit e tij në 61 bashkitë e vendit.
Po cila është arsyeja reale e kësaj lëvizje në dukje pa kuptim, pasi nuk ka asnjë shkak përse të mos të vendosë firmën e vet, njeriu që e ka çuar shkresën zyrtarisht me vulë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?
Ka disa të tilla, që nga synimi për të mos e mërzitur doktorin që tani në pleqëri hidhërohet edhe më kollaj, duke e lënë në hije, deri tek frika se mos demokratët, duke parë emrin e Ilir Metës nuk do të vënë kryqin anash, sidomos ata demokratë që janë të tillë prej 30 vitesh, e ndoshta në moshë të shkuar, por e dinë ende Metën një politikan socialist.
Por ajo që duket se ka më shumë peshë në argumentet për mos vendosjen e emrit, është pikërisht popullariteti i çiftit Berisha-Meta.
Në çdo sondazh, si njëri, si tjetri kanë një shkallë të përafërt, gati të barabartë popullariteti. Për ata mendojnë negativisht gati 70% e shqiptarëve. Që do të thotë, edhe një fetë e mirë e elektoratit të Partisë Demokratike.
E nëse sot, me këtë brez elektorati, këta të dy janë katandisur që i urrejnë dy të tretat e shqiptarëve, imagjino në vitet që vijnë kur hyjnë gjithnjë e më shumë brezi i ri.
Megjithatë, ka edhe një arsye tjetër që ata e fshehin emrin në këtë rast. Me nxehjen e fushatës, ka gjasë që Rama, i cili është komod që kandidon mes dy kandidatëve të vjetër, e kështu duket më i ri, të nxjerrë artilerinë e rëndë të akuzave apo dokumenteve kundër tyre. Ku gjasat janë të sulmojë Metën, siç ka nisur me letrat e parave ruse. Sepse Rama, është treguar më i kursyer në luftën e akuzave, kurse Berisha e Meta, si jo nikoqirë, e kanë harxhuar me kohë municionin e rëndë, duke e relativizuar edhe një të vërtetë. Siç është korrupsioni dhe abuzimi i mazhorancës së sotme. E me përdorimin e akuzave të rënda gjatë fushatës, ka gjasa që të ndikojnë edhe në atë pjesë të zgjedhësve që e urrejnë PS-në e Edi Ramën, por që mund të hezitojnë të votojnë në një fletë votimi ku ndodhet emri i Ilir Metës. Duke votuar kështu për PD-në, si një zgjidhje e natyrshme. Ndaj, Meta, ka telefonuar kunatin e Fatmir Mediut në KQZ, e i ka thënë: Ore, më mirë mos ma vendos emrin, se si dihet!/Pamfleti
Lini një Përgjigje