TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Prill 2023, 10:03

Kush e (ri)shkruan historinë?

Shkruar nga Fadil Lepaja
Kush e (ri)shkruan historinë?
4 udhëheqësit e Kosovës që po gjykohen në Hagë

“Kemi ekzagjeruar, asokohe”, thotë ish presidenti. Në rregull. Nuk e mohon kush se është ekzagjeruar. Shumë madje. Por ... lëre fare...

Kohëve të fundit, vendorë dhe ndërkombëtarë po shtrojnë një pyetje të rëndësishme publike duke ju referuar zhvillimeve në Hagë, ku për krime lufte po gjykohen ish udhëheqësit e pretenduar të UÇK-së. Tash, është e paqartë se sa është i qëndrueshëm ky formulim.

Ish Presidenti i Kosovës mohon të ketë udhëhequr luftën në atë kohë, mohon të ketë qenë vendimmarrës dhe udhëheqës politik apo ushtarak i gueriles më të suksesshme në planet. “Guerilja me aviacion”. Të NATO-s kuptohet. Kështu binte trumbeta politike pas luftës, nëpër fushata, nëpër memoare, ...gjithkund vëlla.

Në fund të fundit, a ka kush në Kosovën e pasluftës që nuk e dinte se kujt i përkasin meritat për lirinë tonë. Liria ka emër edhe mbiemër, madje. Kështu thoshte agjitpropi. Së fundmi edhe në “marshin e solidaritetit” u përmend se “Liria ka emër”, por kësaj radhe mbiemri nuk u përmend.

“Kemi ekzagjeruar, asokohe”, thotë ish presidenti. Në rregull. Nuk e mohon kush se është ekzagjeruar. Shumë madje. Por ... lëre fare. Në të gjitha qeverisjet e pasluftës, edhe përkundër mungesës së votës qytetare, këta emra, ishin prezent, direkt ose indirekt në qeverisje, krejtësisht falë këtyre ekzagjerimeve. Populli e dinte në fakt, për ekzagjerimet, por ... në fushata gjithnjë ka, ekzagjerime. 

Pra kush po gjykohet në Hagë? “Po dënohet lufta” thonë protestuesit dhe marshuesit.

“Po dënohen ish udhëheqësit e luftës”, thonë shoqatat e luftës, “po dënohet shteti i Kosovës” thonë të tretët nga opozita.

“Po dënohen katër të dyshuar për krime lufte” thonë të katërtit dhe pastaj në zhurmën e përgjithshme, të pestët, të gjashtit...nuk  kuptohen fare se çka thonë.

Por nëse sheh publikimet dhe reagimet publike, del se për publikun nuk është krejt e qartë. Natyrisht, në kuptimin profesional të fjalës, është e qartë, sepse prokurorët, avokatët e kanë të qartë për kë bëhet fjalë, pra për emra dhe mbiemra konkret. Problem është, nëse ata ishin apo jo, kreu i luftës? Po (ri)shkruhet historia?

Po të na pyesësh neve, natyrisht, secili nga ne e ka të qartë se çfarë po ndodhë në Hagë, së paku derisa të mos ulemi në kafene apo në një debat publik. Pastaj fillon zhurma. Më se paku bisedohet për temën. Por, pyetjen se kush po gjykohet në Hagë nuk e ka bërë populli. Atë po e bëjnë media prestigjioze botërore.

Të kuptohemi, gjykatat nuk merren me meritat. Nuk ndajnë medalje. Meritat dihet që i njeh dhe i vlerëson populli dhe institucionet. Populli në bazë të meritave të luftës bazuar në rëndësinë që e kishin, i ka bërë edhe votimet e pasluftës. Për shembull, më i votuari pasluftës ishte Ibrahim Rugova, i cili zhvilloi luftën e tij paqësore dhe luftën për faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës. Sa ishte gjallë Rugova, me vota të qytetarëve u vlerësua më së larti, kontributi i tij.

Meritat në fund të fundit i përcaktojnë edhe gladiatorët e mediave, opinionistët e zhurmshëm dhe të paguar mirë nëpër mediat e fuqishme, të cilët luftojnë në mbrojtje apo sulm të vlerave, të kësaj apo asaj figure politike apo historike.

Është e qartë, se sa më të zhurmshëm që janë opinionistët , aq më tepër bazohen në armën e preferuar retorike që njihet si Ad Hominem. Kjo i bie, nëse nuk ke fakte dhe argumente shaj dhe ofendo personin? Gjithnjë mund të gjesh një shkas. Pra, ofendoje dhe ndote sa të mundesh emrin e dikujt, çka edhe po bëhet me të madhe në debate në parlament apo në media, e të mos flasim për mediumin më publik te ne, pra në kafene.

Mendësia e ndarjes dhe operimit me fjalët tradhtar dhe patriot shpërfaqë pikëpamjen e secilit edhe përgjatë edhe pas luftës.

Dikur thirrja në merita të luftës, sillte benefite, dhe shumë kanë përfituar nga kjo. Zakonisht meritat, përgjegjësia dhe paraja shkonin bashkë. “Mos i numëroni paratë e huaja”, u thoshte një mik i imi bashkëbiseduesve të cilët sapo uleshin flisnin për milionerët e pasluftës. E kanë merituar. Pajtoheshim të gjithë.

Pra, po dënohen emrat e përveçëm apo UÇK-ja? Prokurorët thonë se jo. “Po gjykohet një grup i cili është përgjegjës për... krime”, thonë ata. Këtë e thotë edhe ish presidenti.

“Kemi ekzagjeruar “thotë, ai “Nuk vendosnim ne”.

“Dihet” thonë njëra, anë, “dihet” thotë edhe tjetra, e besa edhe ajo tjetra thotë se dihet kjo punë. Pastaj, me kë je ti që pyet, më këta, me ata, apo me ata të tjerët? Heshtje!

Pra, po e mbyllim me përgjigjen se kjo punë dihet. Ne e dimë, ata ose ato e dinë, të gjithë e dinë. Por, mbetet e paqartë nëse po rishkruhet historia?

Kujt i plas për këtë. E rishkruajmë prapë. Është historia jonë.

Edhe partizanët, kështu vepruan, me historinë. Një partizan i Titos, shqiptar, rrëfente dikur.

“Ishte dimër. Na ndiqnin gjermanët, ndërsa ne po tërhiqeshim duke luftuar trimërisht. Bora ishte deri në (bel) dhe mezi po lëviznim. Forcat e armikut ishin të mëdha dhe ne mezi u tërhoqëm deri në një kollomoq ( misër)  të lartë. Aty ...shpëtuam”.

Erdhi NATO, me aviacion, do të pyesni ju? Ku vinte NATO- në atë dimër or vëlla. Pastaj ku të ateronte në atë misër të lartë. Do të dëmtonte NATO-ja të mbjellat e popullit. Pastaj, as NATO nuk kishte asokohe!

Eh, historia është kaq e bukur... e pse të mos rishkruhet!/Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

historia haga kosova kush e shkruan historinë

Lini një Përgjigje