
Bablok, nuk e lan dot gjakun në duart e Rrumbullakut. Do t'ju mbysë të dyve një ditë...
Ajo që po ndodh në Shqipëri është më e keqe se vetë diktatura e Enver Hoxhës. Vrasja e një qytetari të thjeshtë në Pogradec, nga një pjellë me fytyrë dhe emër e politikës së gjithëpushtetshme, dhe gjithçka po ndodh më pas, është vula famëkeqe se në Shqipëri është instaluar shteti policor që po bën kërdinë në njerëz, media, dhe jetën e çdokujt të mbetur brenda kufijve.
Panorama që solli vdekja e Egli Progës në Pogradec, është e frikshme.
Sikur të mos mjaftonte tentativa e dështuar e Met Rrumbullakut për të fshehur të vërtetën e kësaj vrasje, dje Edi Rama bëri atë që në çdo shtet demokratik do të përbënte skandal: doli e mbrojti hapur kriminelët me uniformë që u ka dhënë pushtet.
Ku është parë që një Kryeministër të dalë publikisht të mbrojë policinë, të hedhë shashka kuturu dhe të japë përfundime kur përfundime s'ka akoma?
Rama e quan "maskaradë e krijuar qëllimisht" e mundohet ta reklamojë si ëngjëllore policinë e shtetit për rastin në fjalë. Po ku e di ai si është e vërteta kur çështja është akoma në hetim? Pse ia atribuon "maskaradës" tentativën e policisë së shtetit për të mbrotjur autorin e një krimi, të veshur pikërisht me pushtetin e Edi Ramës? Pse është shqetësuar kaq shumë kryeministri që i kritikuan Rrumbullakun?
Fakt: me një polic fajtor ose jo, ishte pikërisht policia e shtetit që doli e tha se viktima, i pirë, kishte vdekur nga rrëzimi. Pse i djeg Edi Ramës kaq shumë Met Rrumbullaku? Çfarë di ai?
"Film i neveritshëm i të njëjtëve sharlatanë të paudhë, të cilat maskaradat i kanë profesion në politikë e në media", thotë Edi Rama.
Jo more jo! Maskaradë është që Rrumbullaku yt ka futur aq shumë terror tek njerëzit e thjeshtë sa edhe dëshmitarëve okularë të vrasjes së Eglit nuk ua mbajti të tregonin atë që kishin parë ditën për diell. Maskaradë është shteti i Rrumbullakut dhe i joti që edhe kushëriri i viktimës nuk pati guxim të dilte e të thoshte të vërtetën.
Maskaradë është urdhri i Metit që doli sot për të krehur profilet personale të gazetarëve dhe portalet për të gjetur e ndaluar atë që kishte guxuar të shkruante për tentativën e policisë për të fshehur të vërtetën duke e shitur viktimën si "fajtore rastësore".
Maskaradë është tentativa e sotme për të tërhequr vëmendjen nga ngjarja, duke shitur si ekstradim - pra një sukses i paparë i policisë së shtetit- i dy personave në kërkim kur ata në fakt u shfaqën me vullnetin e tyre ne Rinas.
Këto janë maskarada o Ed Rama! Janë madje më shumë se kaq. Këto janë krime të Shtetit tënd policor që i ndyn duart çdo ditë me gjak.
Historia ka treguar se shtete policore kanë funde tragjike. Gjaku i viktimave kthehet. I pari në radhë do të jetë Rrumbullaku yt e pas tij, Ti. Sepse kur ndodhin ngjarje të tilla si ajo e Pogradecit, me qindra viktima të tjera të shtetit tënd rrotullohen ne varr duke kërkuar drejtësi./Pamfleti
Lini një Përgjigje