TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Korrik 2024, 12:05

PS kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor, zbulohet propozimi i ri për herësin dhe votën e diasporës

Shkruar nga Pamfleti
PS kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor, zbulohet propozimi i ri
Rama dhe Çuçi

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat mbajnë firmat e 7 deputetëve.

Pas dështimit të grupit të dialogut, Partia Socialiste në daftin e depozituar në Kuvend janë vetëm tre vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Socialistët kanë propozuar që vota e diasporës të bëhet me postë duke ndarë shpenzimet ndërmjet KQZ-së dhe votuesit. Sipas propozimit, KQZ do të paguaj dërgimin e fletës ndërsa tarifën e kthimit do ta paguaj votuesi.

Atributet për mënyrën e regjistrimit e emigrantëve për të marrë pjesë në zgjedhje pa pasur nevojë të vijnë fizikisht Shqipëri, PS ia ka lënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar modalitetet.

Vota e diasporës do të përllogaritet në qarkun ku emigrantët kanë adresën e banimit në Shqipëri.

Sa i përket hapjes së listave të kandidatëve për deputet, Partia Socialiste propozon që të vendoset sërish një prag brenda listës.

Sipas këtij propozimi, renditja e kandidatëve fitues do të bëhet në bazë të votave parapëlqyese duke e ndarë listën në dy zona, atë fituese dhe atë  humbëse.

Që një kandidat të kalojë nga pjesa humbëse në atë fituese, duhet të thyej herësin i cili është numri i votave të partisë në një zonë zgjedhore, pjesëtuar me numrin e mandateve të përfituara në atë zonë, pjesëtuar sërish me 1.5. Pavarësisht rezultatit të këtij pjesëtimi, ky numër nuk mund të jetë më shumë se 7 mijë.

Propozimi i tretë i PS lidhet me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur duke e hequr atë në bazë edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas propozimit të tyre, në shpërndarjen e mandateve përjashtohen partitë apo koalicionet që kanë marrë më pak se 1% të votave në rang kombëtar.

Këto propozime do të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit, ku nevojitet gjetja e konsensusit për të arritur numrin 84 pasi socialistët nuk i kanë të vetëm.

Lini një Përgjigje