Partia Socialiste ka vendosur ditën e sotme të dalë me Vangjel Tavon si kandidat në zgjedhjet që do të zhvillohen për Bashkinë e Himarës.
Vendimi u mor sot nga kryesia e Partisë Socialiste pasi KQZ-ja i hoqi mandatin Fredi Belerit.
“Në zbatim të statutit të PS dhe normave tona të brendshme, vendosëm në bazë të propozimeve që vijnë nga Bashkia e Himarës, për kandidaturën e Vangjel Tavos si kandidat i PS-së në garën për kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në një komunikim me gazetarët.
Ai sqaroi edhe pse u vendos për Tavon, i cili aktualisht është Prefekt i Qarkut të Vlorës.
“Figura e Vangjel Tavos vjen si një figurë e cila është një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Po ashtu vjen nga disa beteja elektorale që e kanë përgatitur atë për të qenë një kandidaturë shumë e përshtatshme dhe po ashtu edhe përfaqësuese e atij komuniteti. 4 Gushti është shumë afër. Ne shkojmë për të pasur një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në Bashkinë e Himarës”, tha Klosi.
Por Vangjel Tavo, i cili për disa muaj, deri më sot, ka mbajtur postin e prefektit të Vlorës, vetëm pak kohë më parë akuzonte Edi Ramën, se e blinte 500 euro votën në Gjirokastër.
Tavo ishte kandidat i LSI-së në vitin 2021, në zonën e Gjirokastrës dhe do të hidhte akuza të rënda ndaj Edi Ramës.
‘Fenomeni nuk është për herë të parë. Ka ndodhur në Gjirokastër edhe në 2017.
Pse vlera 500 euro, pyet gazetarja? Edhe për vlerën, duhet ta dini se nuk përbën surprizë se e përafërt ka qenë edhe në 2017. Kur nuk janë para djerse janë kollaj për tu shpenzuar, me idenë se mund të rifitohen sërish me të njëjtat mënyra, pra me drogë dhe korrupsion’, në 31 marsin e vitit 2021, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.
Lini një Përgjigje