PS dhe Rithemelimi kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit, pas 5 muajsh kaosi dhe bllokimi.
Partia Socialiste dhe Rithemelimi janë dakordësuar për ngritjen e dy komisioneve hetimore, konkretisht për koncensionet në Shëndetësi si dhe për daljen e të dhënave sistemi ‘TIMS’.
Po ashtu Partia Socialiste dhe Rithemelimi kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Çuçi - 2 cakton Bardhi).
Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirës, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.
Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.
Nesër mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar vendimet për ngritjen e Nënkomisionit.
Dakordësia ka ardhur pas mbledhjes së sotme të zhvilluar mes mazhorancës dhe opozitës, për herë të parë pas 5 muajsh.
Sot Rithemelimi është ulur në tryezën e Konferencës së Kryetarëve përballë deputetëve të mazhorancës. Pas mbledhjes së grupit, u mandatua Gazment Bardhin për negociatat me Partinë Socialiste.
Në mbledhje merr pjesë edhe deputetja e PD, Flutura Açka, si edhe Jorida Tabaku. Pas mbledhjes ministrja Elisa Spiropali pritet të japë një konferencë me mediat.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t'u rikthyer në normalitet. Lidhur me dakordësimin për ngritjen e dy komisioneve hetimore, Bledi Çuçi ka thënë se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar opozitës.
"Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar, ka thënë Çuçi.
Më tej ai çmoi rolin e opozitës në Parlament duke përmendur që duhen edhe votat për ligjet me shumicë të cilësuar, siç është amnistia penale e mbetur peng që prej muajit dhjetor për shkak të kaosit.
"Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale", tha Çuçi.
Ndërkohë në radhët e deputetëve të PD, ka pasur zëra kundër kësaj marrëveshje.
“Vendimi për bisedimet ose “negociatat” është dëmtues për Partinë Demokratike dhe për opozitën!", u shpre deputeti demokrat, Ervin Salianji.
Lini një Përgjigje