TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Mars 2026, 20:14

Protesta e Lapajt, sërish sherr me policinë para Kryeministrisë; shoqërohet një aktivist

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e Lapajt, sërish sherr me policinë para Kryeministrisë;
Adriatik Lapaj

Protesta e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë është shoqëruar edhe mbrëmjen e sotme me tensione mes mbështetësve të Adriatik Lapajt dhe forcave të policisë.

Mbështetësit e Lapajt, të cilët prej ditësh qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në formë proteste, kishin vendosur në trotuar kartonë dhe karrige për t’u mbrojtur nga i ftohti gjatë qëndrimit ditë e natë përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Situata u tensionua kur një numër i konsiderueshëm efektivësh të policisë mbërritën në vendngjarje dhe nisën të largojnë sendet e vendosura nga protestuesit. Policët prishën kartonët dhe morën karriget e sende të tjera, duke i ngarkuar në një mjet për t’i larguar nga zona.

Ndërhyrja e policisë shkaktoi përplasje verbale me protestuesit, të cilët e konsideruan veprimin si përdorim force dhe tentativë për të shpërndarë protestën. Gjatë momentit të tensioneve, një prej aktivistëve u shoqërua në komisariat nga efektivët.

Pas shoqërimit të aktivistit, Adriatik Lapaj dhe një grup mbështetësish u nisën drejt Komisariatit nr.1, ku paralajmëruan se do të vijonin protestën në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së policisë dhe ndalimit të protestuesit.

Në një moment tjetër gjatë mbrëmjes, teksa kryeministri Edi Rama largohej nga ambientet e Kryeministrisë, protestuesit e grumbulluar në bulevard kanë thirrur në kor “Edi Rama o hajdut”.

Protesta përpara Kryeministrisë ka nisur më 8 dhjetor, kur Adriatik Lapaj vendosi të qëndronte i vetëm në bulevard përpara zyrës së kryeministrit. Më pas atij iu bashkuan mbështetës të lëvizjes së tij politike dhe aktivistë, të cilët kanë vijuar qëndrojnë para Kryeministrisë edhe gjatë ditëve në vijim.

Lini një Përgjigje