
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kritikuar lidershipin e PD-së gjatë një takimi me strukturat dhe mbështetësit në Vlorë, duke lënë të kuptohet se drejtimi aktual i partisë po e mban opozitën të dobët përballë qeverisë.
Në fjalën e tij, Salianji u shpreh se qeveria vazhdon të qëndrojë në pushtet edhe për shkak të pafuqisë së opozitës, duke theksuar se Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë të jetë humbëse.
“Qeveria qëndron në këmbë edhe për faj të pafuqisë së opozitës. Ne duhet të kemi guximin të hapemi, të pranojmë njerëz të rinj dhe të ndryshojmë mënyrën si funksionon partia”, deklaroi ai.
Salianji theksoi se PD duhet të rikthejë demokracinë e brendshme dhe të hapet ndaj qytetarëve, duke lënë të kuptohet se lidershipi aktual nuk po e bën këtë.
“PD duhet t’u japë zë qytetarëve dhe kjo bëhet vetëm me më shumë demokraci brenda partisë. Vetëm një parti që është pranë qytetarëve mund të fitojë besimin e tyre”, u shpreh deputeti demokrat.
Salianji u shpreh gjithashtu se ndryshimi nuk do të vijë nga drejtues që, sipas tij, janë mësuar me privilegjet e pushtetit brenda partisë.
“Ndryshimi do të vijë nga këto salla të mbushura plot me njerëz që duan ndryshim, jo nga ata që flenë mbi dafina dhe privilegje. Politika nuk është për disa njerëz që rrinë rrotull lidershipit, por për ata që punojnë dhe sakrifikojnë”, tha ai.
Deputeti i PD u bëri thirrje qytetarëve dhe demokratëve të bashkohen për të sjellë, sipas tij, rotacionin politik në vend.
Lini një Përgjigje