
Deputeti demokrat thotë se dokumentet hetimore përshkruajnë bashkëpunim të një ish-shefi të krimeve me një grup të strukturuar dhe përmend trafik kokaine drejt Bashkimit Europian
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se një dosje hetimore e SPAK përshkruan përfshirje të efektivëve të policisë në veprimtari të krimit të organizuar. Balliu u ndal te rasti i ish-shefit të krimeve Rezart Kuçi. Sipas tij, materialet e hetimit tregojnë se Kuçi ka bashkëpunuar me grupin kriminal të Inez Hajrullës gjatë kohës që ushtronte detyrën në polici.
Deputeti tha se sipas dosjes, ish-zyrtari i policisë furnizonte grupin me informacion për kundërshtarët dhe njoftonte për operacionet që përgatisnin strukturat e policisë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai përmendi edhe një episod që lidhet me trafikun e drogës. Sipas Balliut, në dokumente evidentohet një porosi për 400 kilogramë kokainë që do të transportoheshin nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Një pjesë e kësaj sasie, sipas tij, ka kaluar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020, ku më pas është sekuestruar nga autoritetet gjermane.
Balliu bëri të ditur se ka depozituar një projektligj që parashikon përdorimin e pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve që humbin jetën nga përplasjet mes grupeve kriminale dhe për çiftet e reja.
Deklarata e Balliut
Operacioni i SPAK, bazuar në përgjimet e SKY ECC, sjellë nga partnerët belgë, ka ekspozuar sërish një realitet dramatik: shndërrimin e shtetit në narkoshtet. Nga institucion që mbron qytetarët dhe lufton krimin, policia në shumë raste, tashmë të dokumentuatra, është shndërruar në dorë të zezë të krimit në punët e shtetit.
Dosja e fundit e SPAK përfshin një rast tronditës. Rezart Kuçi, bashkëpunonte me grupin kriminal të Inez Hajrullës në kohën kur shërbente si shef krimesh në Vlorë. Ai, jo vetem e furnizonte bandën me informacion për rivalët, por edhe dekonspironte operacionet e policisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë dosje dokumentohet porosia per një sasi prej 400 kilogramë kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Një pjesë është trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020 dhe është sekuestruar nga autoritetet gjermane. Dosje si “Metamorfoza”, “Flakë në Det”, “Çopjat”, “Çelajt” etj., kanë një element të përbashkët: zyrtarë të shtetit si pjesë integrale e strukturave të krimit të organizuar.
Ata policë që në kohën e Saimir Tahirit merrnin përqindje nga parcelat e kanabisit, në kohën e Sandër Lleshajt dhe Taulant Ballës evoluan drejt një kriminaliteti më të sofistikuar, duke porositur kontejnerë me kokainë nga Amerika Latine për tregun europian.
Oltion Bistri, kryepolici me 5 milionë euro pasuri, është pasqyrim i këtij progresi në kriminalitet dhe regresi të shtetit.Tonelatat e droges te qarkulluara nga narkotrafikanet shqiptare me ndihmen e strukturave të kriminalizuara të narkoshtetit të Edi Ramës janë një realitet dramatic.
Miliardat e këtij trafiku pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, me lejet e dhëna nga Rama. 14 milionë metra katrorë leje ndërtimi, një volum i paprecedent që krijon terrenin ideal për pastrimin enarko- eurove, janë fakt. Eshtë e papranueshme dhe e padrejte që pasuritë e krijuara nga krimi të mbeten thjesht nën administrimin burokratik të shtetit. Ato duhet t’u kthehen qytetarëve.
Në këtë kuadër, kam paraqitur një projektligj, i cili parashikon që pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar apartamente, prona dhe asete financiare të përdoren drejtpërdrejt për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve të bandave kriminale, si dhe për çiftet e reja, që sot e kanë gjithnjë e më të pamundur të sigurojnë strehim.
Pasuritë e krimit duhet të përdoren për të mbështetur familjet që kanë sakrifikuar për vendin dhe për të krijuar mundësi reale që të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.
Lini një Përgjigje