TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Mars 2026, 10:14

Irani do sulmojë Shqipërinë? Rama: Dezinformime, ushqejnë shpresat për rrëzimin tim nga pushteti

Shkruar nga Pamfleti
Irani do sulmojë Shqipërinë? Rama: Dezinformime, ushqejnë
Edi Rama

Kryeministri thotë se përfaqësitë diplomatike monitorojnë situatën në rajon dhe hedh poshtë spekulimet për një sulm të mundshëm ndaj Shqipërisë...

Mbrojtja e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme mbetet prioritet për qeverinë, në një moment kur rajoni përballet me përshkallëzim të tensioneve dhe konflikteve. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama mëngjesin e së dielës në podcastin e tij “Flasim”, ku një nga çështjet e trajtuara ishte pikërisht situata në Lindjen e Mesme.

Ai tha se ofensiva e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me Izraelin synon të ndalojë përpjekjet e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.

Sipas tij, Shqipëria mban marrëdhënie miqësore si me Izraelin ashtu edhe me disa vende të Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin. Rama i cilësoi këto vende si partnere me të cilat Shqipëria ruan lidhje të qëndrueshme.

Kryeministri tha se ambasadat dhe konsullatat shqiptare në rajon mbajnë kontakte të vazhdueshme me autoritetet vendase dhe me institucionet në Tiranë për të ndjekur zhvillimet dhe për të ndihmuar qytetarët shqiptarë. Ai shtoi se kufizimet dhe vështirësitë në fluturime përbëjnë një nga sfidat kryesore në këtë situatë.

Rama shprehu solidaritet me vendet e prekura nga tensionet e fundit, duke përmendur Qipron, Greqinë dhe Turqinë. Ai përmendi edhe një rast kur forcat e NATO-s neutralizuan një raketë që, sipas tij, kishte ardhur nga Irani drejt territorit turk.

Në lidhje me lajmet për një sulm të mundshëm ndaj Shqipërisë, Rama i cilësoi ato si spekulime dhe dezinformim. Ai theksoi se Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe përfiton nga mekanizmat e mbrojtjes kolektive të aleancës.

Kryeministri theksoi nevojën për informim nga burime zyrtare dhe për qasje të kujdesshme ndaj zhvillimeve në rajon, ndërsa institucionet shqiptare vijojnë të ndjekin situatën dhe të mbajnë kontakt me qytetarët shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Sigurisht që si të gjithë, edhe ne jemi të prekur në sensin fatmirësisht, jo fizik, por patjetër politikisht, shpirtërisht, njerëzisht nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në një rajon, ku kemi miq të jashtëzakonshëm dhe ku me krenari jemi një nga vendet e pakta që kemi një miqësi të fortë, njëkohësisht me Izraelin dhe me vendet e Gjirit Persik, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katarin, Kuvajtin, Bahrenin, të cilat kanë qenë në rrezen e agresionit të killerave të Teheranit. Situata mbetet e ndërlikuar, vështirë të parashihet fundi i një ofensive të nisur me plotë të drejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aleancë të ngushtë me Izraelin për të ndaluar njëherë e mirë mundësinë që regjimi obskurantist i Republikës khomeiniste të Iranit të prodhojë bombën atomike.

Në këtë moment sigurisht edhe për ne si për shumë vende të tjera prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë.

Kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s.

Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh, dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu.

Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës”.

 

kryeministri irani shqiperia sulme

3 Komente

  1. C
    Ciu

    Mire o Rame po kur do na lesh rehat se rope nga leket e Shqiperine e shite te gjithe per xhepat e tuj dhe te qelbesirave qe ke ne shtepi..

    1. A
      Administratori

      Si administrator agjensie punesimi po shoh qe po na vijne aplikime personash nga Afrika e Veriut, si marokene etj po ne dukje individe te fuqishem fizikisht me pamje agjentesh policie a sherbimi sekret qe mund te jene terroriste! Aplikimet vijne nga Dubai. Une i fshij por te tjeret mund ta hane, sidomos ata pa NIPT e license qe jane te etur per para e ca nuk po sjellin ketu! Pervec indianeve dhe filipinezeve te huajt e tjere qe duan pune ketu duhet te ndalohen te vijne sepse Irani do na sulmoje me atentate te jesh i sigurte! Dhe mos bej deklarata sepse nuk je ndonje shtet kush e di se cfare..

      1. B
        Beni ecen vete

        Me sjell ne mendje filmin “Beni ecen vete” ne episodin ku Beni ecte i vetem ne pyll dhe nga frika kendonte per t’i dhene kurajo vehtes….

        Lini një Përgjigje