Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me gra dhe vajza me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Gjatë fjalës së tij, ai uroi të gjitha gratë dhe vlerësoi rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë.
Berisha theksoi se kontributi i grave shqiptare është shumë i rëndësishëm dhe shpeshherë më i madh për shkak të angazhimit të tyre si në jetën profesionale ashtu edhe në familje.
“Kontributi i juaj, kontributi i gruas shqiptare është i shumëfishtë krahasuar me kontributin e burrave, djemve dhe ky është një realitet sot. Sot kontributi i tyre në zhvillimin e një shoqërie ka qenë rreth dy herë më i madh se sa i burrave sepse ju përballeni 24 orë me punën në profesionet tuaja, por edhe punën në familjet tuaja që është një kontribut real për gjithë shoqërinë”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe te çështja e barazisë gjinore, duke theksuar se sipas tij detyrimet ndaj grave janë të mëdha dhe se shoqëria duhet të përballet me mentalitetet patriarkale.
“Muri i patriarkisë është dhunuesi më kryesor i të drejtave të njeriut kudo në botë. Beteja kundër këtij muri është beteja më fisnike, është beteja më e rëndësishme e njeriut për barazi, për dinjitet, për të drejta njeriu. Ky mur pesë mijëvjeçar duhet shembur dhe gratë vajzat dhe të gjithë ata që besojnë se në forcën e jashtëzakonshëm dhe rolin e tyre në familje dhe shoqëri duhet të bëjnë çdo gjë që këtu mur ta zvogëlojnë çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.
Më tej ai theksoi se barazia mes grave dhe burrave është një kusht i domosdoshëm për një shoqëri të drejtë.
“Pa vendosur barazinë mes burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës, nënës dhe babait shoqëria nuk mund të jetë kurrë një shoqëri e drejtë, një shoqëri e parimeve dhe idealeve të larta njerëzore”, shtoi kryedemokrati.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi gjithashtu se sipas tij, nga ajo që ai e cilëson si regjim, sot dëmtohen më së shumti gratë dhe vajzat.
Lini një Përgjigje