
Opozita do të zbresë sërish në protestë kombëtare ditën e shtunë, më 24 janar. Teksa iu ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen, deputeti demokrat Klevis Balliu deklaroi se ky tubim nuk do të jetë si të tjerët, por do të shënojë fillimin e një faze të re aksioni të pandërprerë.
Sipas tij, fokusi i opozitës tashmë është te "qëndresa", një koncept që nënkupton jo një protestë të vetme, por vazhdimësinë e betejës kundër qeverisë.
Balliu theksoi se strategjia e re synon të shmangë gabimet e së shkuarës, ku aksionet opozitare janë ndërprerë para kohe.
"Aksioni i opozitës është i përqendruar tek qëndresa. Kjo nënkupton vazhdimësinë e protestës, vazhdimësinë e aksionit opozitar për mos u lënë përgjysmë", deklaroi ai, duke e përshkruar protestën si një "aksion pa ndalim kundër vjedhjes dhe korrupsionit".
Teksa iu përgjigj kritikave mbi efektivitetin e protestave, deputeti demokrat argumentoi se kauza e opozitës është e drejtë dhe beteja është e nevojshme përballë skandaleve qeveritare.
Balliu denoncoi se në Shqipëri biznesmenët merren peng dhe torturohen për të tërhequr ankimimet për tenderë, në mënyrë që ato t'i fitojnë të afërmit e pushtetarëve.
Sipas tij, aftësinë për të mbajtur një betejë të gjatë dhe konsistente e ka vetëm Partia Demokratike.
"Që ta bësh atë, duhet të kesh me vete besnikë, njerëz që besojnë tek ajo kauzë, duhet të kesh me vete misionarë”, u shpreh deputeti i PD për “Syri Tv”, duke shtuar se pikërisht këta "misionarë" do të garantojnë që aksioni të mos ndalet deri në arritjen e qëllimit, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lidhur me kampin opozitar, deputeti ishte i prerë, duke deklaruar se disa aktorë politikë nuk janë opozitarë të vërtetë. Sipas tij, ata thjesht mashtruan votuesit për të marrë vota dhe për të siguruar një vend në parlament, ku më pas heshtin.
"Këta hoqën vota opozitare duke mashtruar njerëzit se janë opozitë. Ç'opozitë janë këta?", tha ai mes të tjerash.
Lini një Përgjigje