TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Janar 2025, 15:58

Primaret në PD, dorëhiqen 2 nga 72 kryetarët e degëve; ç’po ndodh në selinë blu?

Shkruar nga Pamfleti

Primaret në PD, dorëhiqen 2 nga 72 kryetarët e degëve;

Një ditë më parë drejtuesve të degëve të PD-së i është dërguar një udhëzim, që përfundon ditën e dielë, përmes të cilit i kërkohet që kushdo që do të hyjë në garën e primareve për kandidatë për deputetë duhet të dorëhiqet nga funksionet si Kryetar.

Udhëzimi ka krijuar përplasje në rradhët e demokratëve, ndërsa deputetë të kësaj partie kanë kundërshtuar këtë propozim. Një prej ligjvënësve që ka kundërshtuar është Bujar Leskaj, drejtuesi politik i Vlorës, i cili në një postim në rrjet thekson se Kryetarët e degëve janë të vetmit që janë zgjedhur me parimin 1 anëtar 1 votë ndaj dhe dorëheqja e tyre është e pakuptimtë. Leskaj thekon se në garën e primareve duhet të hyjnë të gjithë, përfshi edhe drejtuesit e qarqeve. Gjithashtu Leskaj në reagimin e tij kundërshton udhëzimin për t’u dorëhequr nga funksionet kryetarët e degëve.

Por dy nga drejtuesit e degëve që përfshihen në Qarkun e Vlorës, atje ku është caktuar si drejtues Bujar Leskaj, kanë dhënë dorëheqjen. Bëhet fjalë për kryetaren e degës së Himarës, Afrovita Dhimojani, dhe për atë të Sarandës, Manjola Nikollo. Nuk dihet nëse lëvizja e dy kryetareve të degëve të PD-së është një kundërvënie ndaj qëndrimit të shfaqur më herët nga Leskaj, apo një zbatim me përpikmëri i udhëzimit që një ditë më parë iu shpërnda nga zyrat qendrore.

“Në 11 Maj votohet për ndryshimin e domosdoshëm që i nevojitet vendit, por votohet edhe për Himarën, që të ketë përfaqësuesin e saj në Parlamentin e Shqipërisë!

Si drejtuese e Degës Himarë prej tre vitesh, kam qënë përballë me pushtetin, me armën e vetme fjalën, mbrojtjen e Himarës, votën dhe besimin në zot.

Këtë nuk mund ta kisha bërë pa mbështetjen e anëtarëve të Partisë Demokratike, aleatëve dhe qytetarëve.

Partia Demokratike kandidatët e saj, do t’i përzgjedhë me procesin e Primareve, me parimin “një anëtar një votë”. Ky ka qënë angazhimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha, i sanksionuar me statut.

Një angazhim që hap garën dhe meritokracinë, një angazhim që më dha besim mua dhe shumë demokratëve të zhgënjyer për t’u bërë pjesë e garave brenda strukturave.

Sipas udhëzimit të Partisë Demokratike, dua t’ju informoj se kam marrë vendimin të konkurroj në Primare, duke dhënë dorëheqjen nga Kryetare e Degës Himarë”, shkruan Dhimojani.

Ndërkohë, Manjola Nikollo, drejtuese e degës së PD Sarandë, e rizgjedhur vetëm 8 muaj më parë në këtë funksion, shkruan “bazuar në udhëzimin e kryesisë së PDSH-së, funksioni i Kryetarit të degës bie ndesh me procesin e Primareve dhe për këtë arsye duhet të dorhiqet,kërkoj nga ju me përulësi të pranoni vendimin për të dhënë dorëheqjen nga detyra”.

“Si një prej jush, duke kaluar hap pas hapi çdo funksion prej anëtares së thjeshtë të seksionit e deri në nivel drejtuesi, e quaj legjitime ambicjen time për të kandiduar në procesin e Primareve për listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit 2025, për të cilën nuk mund ta realizoj pa mbështetjen tuaj!

Kurrë nuk e kam quajtur privilegj të qenit drejtuese, por akt sakrifice për të mirën e përbashkët, në mënyrë të veçant këto 12 vjet të vështira të opozitë që kemi përjetuar të gjithë bashkë. Krah jush, kam punuar si e barabartë mes të barabartëve, si demokrate mes demokratësh por mbi të gjitha si një qytetare e cila politikën e sheh si mjet për të shërbyer e jo për të përfituar. Gjithnjë kam luftuar për të arritur e jo të qëndroj e heshtur përball padrejtësive, sepse kam besuar gjithnjë se qëndresa e guximi janë mjeti i duhur që ne t’ja dalim.

Kandidatura për deputete, nuk ka qenë kurrë qëllim në vetvete. Qëllimi im ka qenë gjithnjë kontributi për Partinë Demokratike pavarësisht pozicionit. Por mendoj se në këto momente janë pjekur kushtet, që përfaqësimi im, i joni së bashku, të kalojë në këtë stad të ri. Nuk preferoj dhe nuk kam preferuar kurrë emërime, ndaj do të garoj sërish, ashtu si kam bërë gjithnjë, duke filluar nga seksioni, kryesia e deri tek drejtimi i degës”, thekson ajo.

 

Lini një Përgjigje