
Deputeti Kreshnik Çollaku shprehet dyshues lidhur me zhvillimin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në kushtet që kjo forcë politike po kalon, që ai e përkufizon si emergjencë ose situatë krize.
Pavarësisht se vlerëson primaret si një proces mjaft i vlefshëm në vetvete, Çollaku vë theksin në instalimin dhe kulturën e pranimit dhe respektit të të gjithëve.
“Procesi i primareve është një proces i vlefshëm në vetvete, është një proces që demokratizon partitë, fisnikëron partitë, dhe i jep fuqinë e vendimmarrjes gjithë segmenteve të partisë. Në parim, nuk ka asgjë për t’u kritikuar. Kur flasim për primaret, imagjinojmë primaret amerikane, ku një vit e gjysmë para, kandidatët rreshtohen, prezantojnë platforma, debatojnë, njëri fiton dhe të tjerët e përshëndesin. Sfida është që primaret apo zgjedhjet brenda partisë, po, por duhet instaluar edhe kultura e pranimit dhe respektimit të të gjithëve.
Elementë të tillë ngrenë shqetësimin e mbarëvajtjes si gjithëpërfshirja, garancitë dhe proceset e plota që nga A deri te ZH. Nëse kjo ndodh nuk ka asgjë të keqe që primaret të zhvillohen, por në situata krize apo emergjence është për tu analizuar nëse dëmtojnë apo fuqizojnë formacionin politik”, thekson Çollaku në një intervistë për Report TV.
Deputeti demokrat është kundër futjes së Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës në listat e sigurta të PD, pasi thotë ideologjikisht përfaqësojnë të majtën. Ai thekson se nuk mund të mbesin jashtë koalicionit parti të tjerë opozitare të djathta.
“Meta është i arrestuar, i arrestuar në mënyrë vulgare të paligjshme, kam patur rastin të punoj, s’kam problematikë personale. Ideja e futjes së të gjithëve në një listë do funksiononte nëse do futej i gjithë spektri në një listë. Është e pasens kur parti ideologjikisht të majta të gjejnë më vend në një listë të PD. Nëse do kishte unifikim total, do kishte sens. Nëse opozita shkon e copëtuar, nga pikëpamja elektorale kam një lloj skepticizmi. Është një parti e majtë që kemi disa dallime që na ndajnë, ideologjike, nuk e di sa e frytshme do ishte nga pikëpamje elektorale.
Nga pikëpamja politike e kuptoj, nga pikëpamje njerëzor po ashtu e kuptoj, solidaritet njerëzor, por nga pikëpamja elektorale kamë skepticizmin tim. Ky është mendimi im, kush e ka në dorë dhe kush e drejton do ta vlerësojnë. Nuk kam problem nëse vjen PL brenda, por s’do doja të shihja segmente të djathta që ngelen jashtë frontit të PD”, thotë deputeti demokrat.
Çollaku thekson se vetëm të bashkuar mund të luftojnë përballë kryeministrit Rama në zgjedhjet e 11 majit.
"Unë insistoj në bashkime e PD dhe demokratëve, e mendoj të vetmen rrugë që mund të sjellë sukses ne dhe kur e sjell për PD e sjell për gjithë opozitën. Bashkimi dhe vetëm bashkimi është garancia e PD drejt fitores. Lufta brenda llojit është një gosti për Edi Ramën. Ne nuk mund të humbasim energji, asnjë sekondë kohë, për të zhvilluar beteja kundër njëri-tjetrit, me gjykimi paragjykime secila palë në të drejtën e vet. E rrezikshme sot të vazhdojmë rivalitetin e luftës brenda llojit, do ishte gosti e pamerituar për Ramën. Një PD që shkon në konflikt, e përçarë, me dy- tre subjekte të ndryshme që do dëmtojnë njëra-tjetrën, është goditje për Ramën. Duhet të tejkalojmë veten për të kuptuar se e keqja e madhe është Edi Rama”, tha deputeti.
Lini një Përgjigje