TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Janar 2025, 16:29

Paktet Rama-Berisha dhe fshirja e kushtit për Qeveri teknike

Shkruar nga Pamfleti

Paktet Rama-Berisha dhe fshirja e kushtit për Qeveri teknike

Qeveria teknike apo kujdestare që konsiderohej si vijë e kuqe është fshirë, liderët politikë të PS e PD, përkatësisht Rama e Berisha po i drejtojnë thirrje e mesazhe emigrantëve që të resgjitrohen për zgjedhje, duke krijuar pritshmërinë se vota e tyre përcakton edhe fatin e zgjedhjeve.

Partia Demokratike prej muajsh këmbënguli për krijimin e një qeverie teknike ose kujdestare për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, referuar modelit që aplikohet në Maqedoninë e Veriut 3 muaj para zgjedhjeve.

Demokratët e Sali Berishës e konsideruan si një ‘vijë të kuqe’ krijimin e Qeverisë teknike apo kujdestare, madje për këtë organizuan edhe disa protesta në kuadër të asaj që e konsideruan si mosbindje civile.

Sot kur jemi 4 muaj para zgjedhjeve, PD duket se ka lënë mënjanë kërkesën për qeveri teknike, edhe pse bllokuan rrugë e krijuan kaos, u përplasën me policinë dhe ishin të bindur që në zgjedhje do të shkohej pa Ramën Kryeministër.

Qeveria teknike u konsiderua në atë që konsiderohej si ‘beteja pa kthim’ sikundër e pagëzoi Berisha si garancia e vetme për zgjedhje të lira.

Por edhe kjo betejë duket se u la në mes, ashtu sikundër ka ndodhur me betejat që kjo forcë niste kur në krye kishte Lulzim Bashën si kryetar de jure, dhe Sali Berishën në prapaskenë si kryetar ‘de facto’.

Nga protesta e fundit e 23 dhjetorit nuk është folur më për Qeveri teknike apo kujdestare dhe duket se palët e vendosura në llogore deri para 1 muaji kanë arritur një ‘armëpushim’. Një apo disa pakte politike ose jo, me ndërmjetësim ose jo, duket se hoqën nga agjenda e PD-së së Berishës, kushtin për zgjedhje pa Edi Ramën Kryeministër.

Qeveria teknike apo kujdestare që konsiderohej si vijë e kuqe është fshirë, liderët politikë të PS e PD, përkatësisht Rama e Berisha po i drejtojnë thirrje e mesazhe emigrantëve që të resgjitrohen për zgjedhje, duke krijuar pritshmërinë se vota e tyre përcakton edhe fatin e zgjedhjeve.

Hera herës nga nivelet e dyta dhe të treta të dy partive të mëdha sulmohen partitë e reja, që ende nuk po arrijnë të kuptojnë se pa një aleancë mes tyre, nuk do të mund të lenë gjurmë në zgjedhjet e 11 majit.

Berisha e Rama duket se janë në një pakt të heshtur, ku hedhin ndonjë batutë apo akuzë nga distanca, ndërsa vijojnë negociata për zgjedhjet, më saktë për votën e emigrantëve.

Askush nuk jep detaje për këto negociata, që mund të jenë edhe të karakterit teknik, por në fund të fundit, mund të çojnë në një ndryshim të Kodit Zgjedhor, qoftë edhe përsa i takon votës së emigrantëve.

Gjithsesi lënia në harresë e Qeverisë teknike mund të jetë një hile e mirëmenduar nga Berisha, i cili pas 11 majit, në rast të një rezultati negativ, ka gati alibinë për të kontestuar procesin.

Ai prej kohësh ka thënë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira. /Pamfleti/



Lini një Përgjigje