
Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, pohon se në zgjedhjet e 11 majit forca e tij politike do të dalë në një koalicion, ndërsa ka zbardhur edhe subjektet dhe grupimet që ai po negocion.
Shehi tha se në negociata është përfshirë edhe grupimi i Lulzim Bashës, i njohur me emrin Demokratët Euroatlantikë. Po kështu kreu i LZHK foli për negociatat me partinë Djathtas 1912 të krijuar nga Enkelejd Alibeaj.
Ai paralajmëroi gjithashtu negociata edhe me subjekte të tjera që nuk shohin dashamirësi afrimi apo nuk janë në negociata me demokratët e Sali Berishës.
“Jemi në komunikim dhe bisedime me grupin Basha”, tha Shehi, duke shtuar se “jemi të hapur për negociata me çdo subjekt që nuk është për një koalicion me Berishën”.
“Lista është e përbashkët, është e hapur. Është shans i madh që ka opozita alternative, nëse s’ kanë ide të tjera të shkojnë te grupi Berisha apo Meta, sesa të bëhet rrëmujë me 700 lista që mos ta marrin vesh i pari të dytin.
Po negociojmë me të gjitha grupet që janë brenda parlamentit dhe pothuajse kemi rënë dakort me Alibeajn, grupin e Bashës apo të tjera që janë brenda në parlament. Pothuajse po e mbyllim këtë punë. Kur të nënshkruhet marrëveshja që besoj brenda këtij muaji, do ta bëjmë zyrtare”, tha Shehi.
Gjithashtu ai i bëri thirrje emigrantëve të regjistrohen, ndërsa nga ana tjetër kritikoi mos-dakordësinë për shtrirjen e votimit elektronik.
Lini një Përgjigje