Fole grerëzash në shërbim të urrejtjes: Si po e përhap Ankaraja antisemitizmin në Shqipëri e Kosovë!
Me porosi të shërbimeve inteligjente turke, rrjeti mediatik proerdoganist në Tiranë, Prishtinë e Shkup ka kaluar nga retorika propagandistike te gjuhë ekstreme kundër Izraelit dhe komuniteteve prohebre, duke rrezikuar rëndë marrëdhëniet strategjike të shqiptarëve me Perëndimin...
Prej pak javësh, nga Ankaraja, përkatësisht nga shërbimet inteligjente, kanë mbërritur porositë e reja për “foletë e grerëzave” në vendet e Ballkanit. Kështu quhen nga qendrat e përpunimit të opinionit stacionet e grupimeve proerdoganiste në territoret me influencë otomane, ku përfshihen Shqipëria dhe territoret me shumicë shqiptare në rajon.
Porositë e fundit përfshijnë rritjen e dozës së antisemitizmit në mediat e lidhura me Ankaranë, duke kaluar tashmë në një fazë ekstreme. Nëse më parë sulmohej Izraeli si shtet që kryen mizori ndaj palestinezëve, tashmë po artikulohet haptazi se Izraeli nuk duhet të ekzistojë.
Të njëjtët emra e figura janë në krye të kësaj retorike, ata që kanë qenë më parë në vijën e parë të sulmeve kundër rrjetit të Gylenit dhe që drejtojnë mediat me përmbajtje islamike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Këto media, pasi kultivuan për një kohë të gjatë një gjuhë urrejtjeje kundër hebrenjve dhe Izraelit, tani flasin me gjuhën e Hamasit, duke përhapur parullën famëkeqe: “Nga lumi deri në det”, një slogan që synon fshirjen e Izraelit nga harta.
Një nga zërat më të njohur në këtë diskurs është teologu Justinian Topulli, i cili publikoi një fragment nga kujtimet e Eqrem Vlorës për rënien e Perandorisë Osmane, për të përforcuar idenë se krijimi i shtetit hebre ka sjellë zjarr në botën arabe. Një mesazh i koduar, por i lexueshëm për publikun e synuar. Media e cila drejtohet nga një qendër radikale e inteligjencës turke, me prani në Prishtinë dhe Tiranë, ka shkuar më tej, duke e cilësuar Izraelin si “shtet delinkuent”.
Ky përshkallëzim i retorikës vjen si pasojë e përplasjes direkte mes Turqisë dhe Izraelit në Siri. Me depërtimin turk në territorin sirian dhe me mbështetjen e milicive të lidhura me shërbimet sekrete të Erdoganit, janë goditur sistematikisht komunitetet e krishtera, kurde dhe druze. Pikërisht në jug të Sirisë, pranë Lartësive Golan dhe kufirit me Izraelin, këto milici kanë masakruar qindra anëtarë të komunitetit druzh. Ky komunitet, edhe pse arab, është i lidhur ngushtë me Izraelin, ku jetojnë mbi 100 mijë druzhë të integruar, madje edhe në Forcat e Armatosura të Izraelit (IDF).
Izraeli i konsideron druzhët si një popull vëlla, dhe për pasojë, mbrojtja e tyre është kthyer në çështje strategjike. Pikërisht për këtë arsye, pas ndërhyrjes së Izraelit në Siri dhe bombardimit të disa objektivave pranë Damaskut, reagimi i mediave të lidhura me Ankaranë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut u përshkallëzua ndjeshëm.
Në Shqipëri, komuniteti druzh njihet pak, dhe për shqiptarët në përgjithësi ata janë një komunitet i panjohur që kërkon të jetojë në paqe. Megjithatë, media e Ankarasë në Tiranë e Prishtinë ka titulluar: “Druzët, ‘baba mondët’ e Lindjes së Mesme”, një etiketim përçmues që godet njëkohësisht edhe bektashinjtë shqiptarë.
Në një tjetër artikull shkruhet: “Emrat i kanë muslimanë, por janë besnikë të Izraelit”, ndërsa në të tjerë: “Aktet prej izraelitësh të bandave druze në Suwayda”.
Kjo gjuhë e urrejtjes nuk është aspak e rastësishme. Me dobësimin e ndikimit iranian, Turqia ka marrë rolin e ri si mbrojtëse dhe financuese e Hamasit.
Udhëheqësit e Hamasit janë strehuar në Stamboll dhe Ankaraja është kthyer në qendër propagande për këtë organizatë, mesazhet e së cilës po përcillen edhe në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Kjo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj marrëdhënieve strategjike të shqiptarëve me Perëndimin, në një kohë kur Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka forcuar lidhjet me Shqipërinë, ndërsa dy qendrat e pushtetit palestinez refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet dhe e konsiderojnë ende pjesë të Serbisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje