
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë javën e ardhshme ankimim e Qeverisë lidhur me një vendim të GJKKO-së, që ka vendosur pezullimin nga detyrat qeveritare të Belinda Ballukut.
Qeveria e konsideron vendimin e GJKKO-së si anti-kushtetues, duke e interpretuar rastin si një ndërhyrje të një pushteti ndaj një tjetri.
Çështja që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me faktin nëse ministrat kanë ose jo të njëjtën mbrojtje si deputetët. Qeveria në argumentet e saj lidhur me dërgimin e çështjes në Kushtetuese, ka përdorur përkufizimin e nenit 103, paragrafi 3-të, ku thuhet se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetëve.
Lidhur me çështjen ka reaguar edhe kreu demokrat, Sali Berisha. Ky i fundit shprehet se termi imunitet përdoret disa herë në Kushtetutë në kontekstin e mbrojtjes që gëzojnë institucionet të ndryshme kushtetuese si Avokati i Popullit, gjykatësi, etj, ndonëse Kushtetuta nuk ka një përkufizim unik për çdo rast.
“Me rastin e deputetit, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend. Pra, ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut. Të deputetit.
Pra, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend, votat e dhëna, ushtrimin e funksionit në kolegjialitet parlamentar, pra të gjitha këto i mbron imuniteti parlamentar.
Kjo mbrojtje përkthehet në mënyrë specifike nga Kushtetuta si garanci ndaj heqjes së lirisë të çfarëdo forme, kontrolli të banesës pa autorizim të parlamentit.
Për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, imuniteti kufizohet tek mbrojtja për mendimet e shprehura dhe vendimet e dhëna, me kusht që këto të mos jepen për një interes vetjak ose në keqbesim.
Po kështu për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, neni 137, kryetarin e KLSH, neni 65, Avokatin e Popullit, neni 61/3, në të gjitha këto raste, mbrojtja që jep Kushtetuta është specifike.
Pra ajo i përcakton fushat ku shtrihet mbrojtja.
Në rastin e deputetit, mbrojtja përfshin dy kategori. Heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme pa autorizim të Kuvendit. Kontrollin e banesës pa autorizim të Kuvendit.
Kurse funksioni i ministrit nuk është asnjëlloj e drejte themelore e njeriut. Mbrojtja quhet e plotë nëse respektohen këto dy kategori. Pra liria në çfarëdo dhe kontrolli i banesës.
Por ushtrimi i një detyre ekzekutive nuk është pjesë e funksionit normal të deputetit si një i zgjedhur me ligj elektoral, dhe për pasojë, mbrojtja nga pezullimi në detyrë nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese.
Për këtë arsye, neni 103/3, i jep ministrit mbrojtjen kushtetuese të nenit 73 të Kushtetutës dhe jo garanci që rrjedhin nga kodi i procedurës penale dhe që lidhen me zgjedhshmërinë e tyre si përfaqësues të popullit.
Neni 245 i kodit të procedurës penale, dhe në radhë të parë i zbatueshëm për ekzekutivin, funksionarët publikë, edhe ky nuk mund të jetë i mirë për zyrtarë të dorës së dytë apo zyrtarët e lartë, por jo për ministrat se ndryshe do të quheshim ferma e derrave e George Oruellit ku derrat janë të barabartë, por disa janë më të barabartë.
Sa për kujtesë, unë vetë kam argumentuar se detyrimi për paraqitje dhe heqja e të drejtës për të dalë jashtë shtetit janë kufizime të lirisë.
Pra, si marrja e pasaportës, edhe detyrimi për paraqitje, këto janë kufizime të lirisë.
Dhe kur unë protestova, kur unë i kundërshtova, Gjykata Kushtetuese, qeveria, parlamenti mbrojti se ajo është masë e drejtë që buron nga kodi i procedurës penale dhe se deputeti nuk është i mbrojtur.
Në atë kohë ua thashë, do kapni kokën me dorë, po le ta kapin, të shkulin kokë, hundë dhe vesh se e meritojnë.
Sa për mua, unë rikujtoj këtu se në vitin 2012 kam dërguar në parlament ligjin që hiqte çdo lloj mbrojtje deputetit.
Ndaj dhe unë në qoftë se bëra rekursin, e bëra në respekt të Kushtetutës dhe absolutisht të asnjë problemi personal të Sali Berishës.
Pezullimi nuk hyn kërkund në asnjë të drejtë.
Nuk ka asnjë lidhje me imunitetin, ka lidhje me hajdutët që përpiqen të mbrohen me çdo kusht si të mbyturit që përpiqen të kapen pas fijes së barit.
Në fakt, në rastin tim gjykata vendosi ndryshe, por vendosi në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe gjykimet e Gjykatës së Strasburgut”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje