
Janë të njëjtët që kanë bërë fushatën dhe sot do të bëjnë analizat e humbjes, do të nxjerrin përgjegjësitë, por që shfaqen edhe në ‘negociatat’ me socialistët e Edi Ramës
Një debat, i ndodhur mes një demokrateje në Paskuqan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, u bë viral në rrjet, teksa numri dy i partisë më të madhe opozitare shfaqte arrogancën e tij.
Debati që nuk zgjati më shumë se 90 sekonda tregon në fakt atë që do të ndodhë me secilin prej atyre që ndodhen në kupolën drejtuese të PD-së, kur të shfaqen në takimet me demokratët. Mjafton një hulumtim në rrjetet sociale, për të parë se ajo që ndodhi me Paskuqanin, do të ndodhë edhe në Fresk, apo në çdo degë tjetër të kësaj partie.
Mesazhet pa fund të demokratëve në rrjet paralajmërojnë një gjë të tillë, ndërsa duket se Flamur Noka u bë shembulli i parë i revoltës nga poshtë.
Situata të tilla mund t’i shfaqen edhe Belind Këlliçit, Gazment Bardhit, Albana Vokshit dhe çdo emri tjetër që ndodhet në kupolën drejtuese të PD-së, apo që në 11 maj ka drejtuar fushatën.
Çështja nuk ka të bëjë me humbjen e zgjedhjeve apo zhgënjimin që mund të kenë pësuar demokratët në bazë, por me faktin se ata që janë sot në kupolën drejtuese të PD-së kanë humbur sensin, busullën dhe simpatinë politike.
Flamur Noka në videon e postuar shfaqet si ‘pronari’ faktik i PD-së, që cakton garat, primaret, rezultatet dhe në fund i tregon derën një demokrateje. Por në fakt kjo është sjellja e të gjithë atyre emrave që sot i gjen në funksionet drejtuese në partinë më të madhe të opozitës.
Kush më shumë e kush më pak, të gjithë janë në pozicione drejtuese si të preferuar të Sali Berishës.
Janë të njëjtët që kanë bërë fushatën dhe sot do të bëjnë analizat e humbjes, do të nxjerrin përgjegjësitë, por që shfaqen edhe në ‘negociatat’ me socialistët e Edi Ramës. Janë të njëjtët që kanë mbajtur pozicione drejtuese edhe kur PD drejtohej nga Lulzim Basha dhe pas çdo zgjedhjeje numërojnë mandatet e deputetëve që kanë në shpatulla. Janë të njëjtët, për të cilët demokratët e bazës i shohin si të përfshirë në pazare dhe afera.
Këto janë disa nga arsyet pse ata janë kthyer në figura që nuk suportohen më nga baza, nga strukturat e PD-së, edhe pse duket si një luftë që ka nisur mes klaneve në këtë parti.
Berisha e ka të qartë panoramën, sikundër ka të qartë edhe faktin se të gjithë janë të konsumuar, përfshi edhe vetë atë, madje duke mos arritur as të prodhojnë ide të reja në reagimin ndaj atij që e konsiderojnë si regjimi i Edi Ramës.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse sot Berisha kërkon figura të reja, emra të rinj që mund të afrohen në PD, megjithëse e ka të qartë se mungojnë ata që mund të frymëzojnë.
Në vjeshtën e 2021, ata që sot po i shfaqen kundra të besuarve të Berishës, ishin ata që ngritën ish-kryeministrin deri në zhvillimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku mbi 10 mijë delegatë, i dhanë vulën e PD-së.
Ata e besuan Berishën në atë kohë, por duket se sot janë zhgënjyer nga zgjedhjet e tij, ashtu sikundër ndjeheshin të zhgënjyer nga Lulzim Basha, po i zgjedhur nga ish-Kryeministri. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje