
Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka reaguar lidhur me përjashtimin e deputetëve të opozitës. Çupi shprehet se përjashtimi i deputetëve të opozitës shkon kundër kërkesës së faktorit ndërkombëtar.
Ajo shkruan se "përjashtimet na nxisin edhe më shumë në rrugën tonë të drejtë".
Reagimi i deputetes Dhurata Çupi:
Përjashtimi i deputetëve të PD shkon kundër kërkesës së faktorit ndërkombëtar për dialog konstruktiv në parlament dhe përmbushjen e kërkesave kushtetuese të opozitës.
Përmes përjashtimit të deputetëve që protestojnë kundër mohimit të të drejtave kushtetuese nuk i shërben rolit mbikqyrjes të Parlamentit dhe aq më pak, funksionimit normal të tij, siç kërkon ambasada e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Delegacioni i BE.
Për çfarë kanë ndodhur 47 përjashtime të deputetëve të opozitës që nga 5 tetori? Sepse kanë mbrojtur kushtetutën dhe nuk i janë nënshtruar qeverisë! Çfarë kërkojmë ne? Asnjë favor! Asgjë të paligjshme! Vetëm të drejtat tona kushtetuese për t’i shërbyer interesit publik:
1. Ngritjen e komisioneve hetimore për kontrollin e qeverisë nga opozita.
2. Heqjen dorë nga përpjekjet për emërimin e opozitës nga mazhoranca.
Vendi dhe shoqëria nuk mund të ketë asnjë të mirë, kur shkelen të drejtat e opozitës dhe akoma më keq, kur opozita hesht. Ne kemi vendosur të mos heshtim, por të veprojmë. Përjashtimet vetëm sa na nxisin në rrugën tonë të drejtë!
Kujtojmë se, Sekretariati i Etikës ka vendosur që 4 deputetë të opozitës të përjashtohen për 10 ditë nga Kuvendi, pas tensioneve dhe kaosit të shkaktuar në seancën plenare të së hënës, ku u ndezën edhe flakadanë, teksa miratohej buxheti 2024.
Të përjashtuar janë deputetët; Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi dhe Flamur Hoxha.
Lini një Përgjigje