
Dashamir Shehi ka folur lidhur me protestat e organizuara nga opozita. Ai u shpreh se tubimet po humbasin ndikimin dhe po shënojnë rënie të vazhdueshme në pjesëmarrje.
Sipas tij, situata aktuale tregon nevojën për një ndryshim të thellë në mënyrën se si opozita organizon reagimin politik.
Ish-kreu i LZHK theksoi se protestat aktuale nuk po arrijnë të mobilizojnë qytetarët dhe po kthehen në një proces të përsëritur pa energji të re.
“Unë them që nuk i bën mirë opozitës. Ka një element patetizmi politik. Kjo nuk është rruga e duhur. Mua më shqetëson që kjo është një rrugë pa krye, dhe po vjen e po zvogëlohet dhe po humbet inercinë”, u shpreh Shehi.
Ai theksoi se pjesëmarrja e ulët është tregues i lodhjes së mbështetësve, duke shtuar se: “E patë edhe vetë herën e fundit kishte më pak njerëz. Përse kishte pak njerëz? Se janë po të njëjtët njerëz që vijnë çdo dy javë, një herë në muaj, që lodhen”.
Sipas Shehit, një protestë e suksesshme duhet të lindë nga reagimi spontan qytetar dhe jo të jetë e organizuar nga politika.
“Protestën e nxit tharmi politik, por ka edhe nevojë për momente entuziazmi, rebelim popullor dhe jo të pilotuar nga politika”, tha ai, duke shtuar se zhvillimet e fundit nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret.
Shehi kritikoi gjithashtu situatën e brendshme në opozitë, duke deklaruar se ajo mbetet e mbyllur dhe pa ndryshim real. “Partia është e mbyllur. Berisha ka qenë kryetar, Berisha do të jetë kryetar prapë, ndaj harxhojnë kot energji”, u shpreh Dashamir Shehi.
Duke u ndalur te sistemi zgjedhor, ai mbështeti idenë e listave të hapura, por theksoi se kjo vjen me vonesë. “Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe nuk ka më kuptim rajonalizimi i votave. Ka qenë budallallëk dhe maskarallëk që në fillim”, përfundoi Shehi për "Report Tv".
Sipas Shehit, opozita duhet të rishohë strategjinë dhe të krijojë besim te qytetarët, përndryshe protestat rrezikojnë të shuhen gradualisht.
Lini një Përgjigje