Forumi i Dialogut Politik, i drejtuar nga Ermal Hasimja, ka avancuar negociatat me partitë opozitare, duke shënuar një hap konkret drejt një qëndrimi të përbashkët për reformën zgjedhore.
Bisedimet e fundit janë cilësuar të frytshme dhe kanë çuar në afrimin e tre forcave politike mbi disa pika kyçe të Kodit Zgjedhor.
Sipas burime, Partia Demokratike, “Shqipëria Bëhet” dhe LZHK kanë rënë dakord në parim që të propozojnë një sistem proporcional kombëtar, lista 100% të hapura si dhe lejimin e koalicioneve parazgjedhore. Kjo paketë pritet të formalizohet në një draft që do t’i paraqitet Kuvendit në vijim.
Përfaqësuesi i Forumit, Ermal Hasimja, konfirmon se negociatat kanë prodhuar një marrëveshje paraprake, ndërsa puna vijon për detajet teknike.
“Gjatë javëve të shkuara kemi biseduar me drejtuesit e partive kryesore dhe kemi arritur një marrëveshje në parim, ndërkohë që punojmë për detajet konkrete. Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore është propozuar nga vetë Forumi dhe dy parti opozitare. Partia Demokratike ka pranuar propozimin. Aktualisht po punohet për detajet konkrete”, është shprehur Hasimja.
Megjithatë, procesi mbetet i hapur, pasi negociatat vijojnë edhe me forca të tjera opozitare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të arrihet një qëndrim i unifikuar.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka artikuluar qëndrime të ndryshme për reformën, duke sinjalizuar reduktimin e numrit të deputetëve në 100 dhe mundësinë e ndryshimeve kushtetuese përmes një referendumi. Përplasja e këtyre qasjeve pritet të përcaktojë fatin e reformës zgjedhore në muajt në vijim.
Lini një Përgjigje