
Opozita ngre foltore para Kryeministrisë...
Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të zbresin sot në shesh kundër qeverisë.
Pas përplasjeve në Kuvend, refuzimit për të ngritur komisionet hetimore, por edhe skandaleve të qeverisë, opozita ka vendosur të nisë një tur tubimesh para Kryeministrisë, një skenar ndryshe nga sa jemi mësuar deri më tani.
Javën që lamë pas, Berisha mblodhi strukturat e partisë dhe u vendos që nga sot në orën 18.00 të nisë një lloj foltoreje para Kryeministrisë, e cila do të jetë e përjavshme. Pra, sipas PD, duke qenë se atyre u kufizohen të drejtat në Parlament, ata do ta zhvendosin Parlamentin para Kryeministrisë, ku do të flasin jo vetëm deputetët, por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës, si dhe qytetarë dhe persona të ndryshëm që kanë interes të marrin fjalën.
Tubimi sot pritet të zgjasë afro 2 orë, ku do të flasin shumë figura të opozitës dhe në fund do të jetë ish kryeministri Sali Berisha. Momentalisht ka nisur mbledhja e militantëve te selia e PD, teksa disa janë pozicionuar dhe te Kryeministria.
Ndërkohë, nga java e ardhshme pritet që foltorja të mbahet kryesisht të enjteve, ose më saktë në ditët që do të ketë seanca parlamentare. Plani është që ky skenar të vijojë për muaj me radhë, duke qenë disi i ngjashëm me protestat që bëheshin para Bashkisë së Tiranës. Ndryshimi do të jetë se nuk pritet të ketë dhunë.

Megjithatë, policia ka marrë masa. Që të shtunën u blindua hyrja e Kryeministrisë, ndërkohë qindra forca kanë rrethuar godinën. Po ashtu janë vënë në gatishmëri autobote me ujë dhe forcat speciale. Gjithashtu janë instaluar kamera me rezolucion të lartë në rast se do të ketë incidente. Sipas burimeve, protesta parashikohet të jetë paqësore dhe fokusi sot do të jetë te fjala dhe jo te forca. /Pamfleti
Lini një Përgjigje