
Presidenti Bajram Begaj vizitoi sot Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe vendosi fokus tek ruajtja e memories kombëtare.
Ai e quajti arkivin një pasuri që formon identitetin e vendit. Begaj deklaroi se vizita kishte një qëllim të qartë dhe se kishte ardhur për të shprehur mirënjohje për punën e specialistëve.
Presidenti theksoi se filmat kombëtarë ndikojnë tek edukimi i brezave dhe se institucioni ka nevojë për mbështetje konkrete.
“Është një memorie e kombit, ka të bëjë me identitetin, me mentalitetin, me ngjarjet, me emocionet e atyre njerëzve që kanë qenë shumë të përkushtuar, prandaj jam këtu për të shprehur mirënjohje për të gjithë këta njerëz, të cilët janë pasionantë dhe shumë të përkushtuar për trashëgimi tonë”, u shpreh Presidenti Begaj
Një rëndësi të veçantë, sipas Begajt, ka ruajtja dhe restaurimi i materialeve audiovizive historike. Ndërsa vlerësoi punën e kryer nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Presidenti i Republikës shprehu mbështetje për shpëtimin e këtyre materialeve.
“Duhet të investojmë më shumë në digjitalizimin e pasurisë filmike që kemi trashëguar, për ta bërë të aksesueshme për brezat e rinj dhe studiuesit”, theksoi Presidenti Begaj.
Lini një Përgjigje