
PD synon te rinumërimi dhe votat e pavlefshme për të siguruar mandatin e 14 në Tiranë dhe të fusë në Parlament Ilir Alimehmetin...
Partia Demokratike po tenton të marrë në tavolinë mandatin e 14 në Tiranë.
Demokratët kanë kërkuar rinumërimin e votave në Tiranë, me synimin që t’i marrin mandatin e dytë Agron Shehajt. Në thelb të kësaj lëvizjeje qëndron një shifër kyçe: 88 vota – aq sa i duhen PD-së për të kaluar subjektin “Mundësia” dhe për të fituar mandatin e fundit në kryeqytet.
Për të bërë llogaritjen se sa vota i duhen PD-së që të rimarrë mandatin e fundit që ka shkuar për subjektin "Mundësia", duhet të përdorim metodën e shpërndarjes së mandateve sipas sistemit proporcional me formulën D’Hondt, që është në fuqi në Shqipëri.
Të dhënat aktuale në Tiranë (mandate totale: 37):
PS: 230,157 vota – 19 mandate
PD: 164,316 vota – 13 mandate
Mundësia: 23,650 vota – 2 mandate
Lëvizja Bashkë: 13,381 vota – 1 mandat
Nisma Shqipëria Bëhet: 16,520 vota – 1 mandat
PSD: 14,781 vota – 1 mandat
Mandati i fundit është ndarë mes PD dhe “Mundësia”, që do të thotë se PD ka qenë shumë pranë marrjes së mandatit të 14-të, por ka humbur për një diferencë të vogël në përllogaritje.
Për të kuptuar se sa vota i duheshin më shumë PD-së për të marrë mandatin e fundit: Përllogarisim kuotën mesatare që i duhej për të kaluar subjektin "Mundësia" në ndarjen e mandatit të fundit; Më pas, llogarisim me sa vota PD do ta tejkalonte koeficientin për mandatin e 14-të.
Me llogaritje të përafërt sipas formulës D’Hondt:
Mandati i fundit është fituar nga “Mundësia” në ndarjen e dytë të saj: 23,650÷2= 11,825 vota.
PD në mandatin e 14-të do të konkurronte me: 164,316÷14=11,737.6
Diferenca është vetëm 87.4 vota. Pra duke qiranë se kemi në Tiranë 16,788 fletë votimi të pavlefshme, PD shpreson që të sigurojë 88 vota dhe të marrë mandatin.
Por pyetja që shtrohet tani është: a do të vendoset fati i mandatit të fundit në tryezën e KQZ-së? Dhe më konkretisht: a do t’i bëjë Ilirjan Celibashi një tjetër “qokë” Sali Berishës?
Deri tani, kreu i KQZ-së është akuzuar nga segmente të ndryshme për qëndrime të diskutueshme. Fillimisht për moscertifikimin e rezultatit elektronik në Vorë, i cili u bllokua pa një arsye bindëse, pavarësisht se sistemi i votimit nuk prodhoi asnjë anomali teknike. Më pas, Celibashi zgjodhi që votat e diasporës nga Greqia – që potencialisht ndikonin ndarjen e mandateve – të numëroheshin në fund, dhe jo bashkë me pjesën tjetër të votave jashtë vendit.
Rinumërimi në Tiranë është një moment i ngjashëm me vitin 2011, kur Arben Ristani, në krye të KQZ-së, përmbysi rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke i dhënë Lulzim Bashës një fitore në tavolinë ndaj Edi Ramës. Pra që Berisha ta arrij qëllimin, duhet të futen në lojë KQZ së pari, por edhe PS. Me pak fjalë një pazar Rama-Berisha-Celibashi. Duhet të presim dhe të shohim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje