
Drejtuesja e zyrës së fondacionit ‘Friedrich Ebert’ në Tiranë, Katharina Hofmann De Maura, ka bërë një shkrim tepër goditës sa i takon situatës në Shqipëri. Sipas saj, në Shqipëri gëlojnë të gjitha të zezat, por vetëm BE nuk i sheh. Ajo shkruan se Brukseli po mbyll sytë për shkak të paktit të Ramës me Giorgia Melonin për refugjatët.
Edi Rama nuk është vetëm kryeministër i saporizgjedhur i Shqipërisë, por edhe artist, ish-ministër i Kulturës dhe dikur kryetar bashkie i Tiranës. Ai di si ta inskenojë politikën në mënyrë psikologjike dhe vizuale – dhe e përdor këtë talent me qëllim të caktuar. Është mjeshtër në paraqitjen e Shqipërisë si një vend progresiv dhe në përputhje me standardet e BE-së.
Në Samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ai u gjunjëzua në tapetin e kuq para Giorgia Melonit, aktualisht gruaja më e fuqishme e Evropës. Rama e dinte pse – ishte një gjest i kalkuluar: Shqipëria dëshiron me çdo kusht të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe për momentin cilësohet si kandidati më premtues.
Hapja e klasterit të parë për zgjerimin e BE-së në tetor 2024 dhe premtimi për anëtarësim deri në vitin 2030 shkaktuan entuziazëm. Katër klastere të tjera pritet të hapen këtë vit – një lloj “integrimi me shpejtësi të lartë”. Popullsia shqiptare mbështet anëtarësimin dhe e sheh veten si pjesë të aleancës perëndimore; Shqipëria është anëtare e NATO-s. Kjo ka shumë rëndësi në një kohë kur fuqia gjeopolitike dhe ekonomike e Evropës po zbehet, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Pak para samitit, më 11 maj, u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri – të cilat nuk morën shumë vëmendje nga opinioni publik evropian. Por rezultati ishte i jashtëzakonshëm: Edi Rama dhe Partia Socialiste fituan zgjedhjet me 53% të votave, duke siguruar 83 nga 140 vende në Kuvend. Rama konsolidon kështu më shumë se kurrë pushtetin në vendin e vogël me vetëm dy milionë banorë.
Në katër vitet e ardhshme do të qartësohet nëse BE-ja dëshiron të pranojë një lider “autokratik të butë” apo një “stabilokrat” ballkanik në gjirin e saj. Ka argumente pro dhe kundër. Por Edi Rama ka një kartë të fortë: një zgjidhje të mundshme për dilemën migratore evropiane. Qendrat ekstraterritoriale të dëbimit që Italia ka ndërtuar në Shqipëri krijojnë një precedent për transferimin e procedurave të azilit në një vend partner të BE-së. Italia dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë bashkëpunimi migrator. Në vitet ’90, Shqipëria post-komuniste përjetoi një eksod masiv drejt Italisë. Italia i ndihmoi shqiptarët e varfër dhe kështu u ndërtua një marrëdhënie që Rama e quan “miqësi historike”. Mbi këtë bazë, Italia synon të transferojë procedurat e azilit në Shqipëri.
Marrëveshja dypalëshe i lejon Italisë të transferojë deri në 36,000 persona në vit në dy qendra të drejtuara nga Italia në Shqipëri. Marrëveshja u përshëndet nga mbështetësit si një zgjidhje “jo konvencionale” për problemin e migracionit të parregullt, por përmban rreziqe serioze ligjore dhe të të drejtave të njeriut.
Megjithë shqetësimet se strehimi i migrantëve nga vende të treta mund të shkelë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të drejtën ndërkombëtare, marrëveshja u ratifikua në të dy vendet. Qeveria e djathtë italiane e përshëndeti si një “hap historik”. Institucionet e BE-së u informuan, por nuk morën pjesë.
Transferimet e para ndodhën në tetor 2024: një anije e marinës italiane solli 16 migrantë në Shqipëri. Sipas ligjit italian, çdo ndalim i azilkërkuesve duhet të konfirmohet nga një gjykatës; gjykatësi refuzoi autorizimin. Italia i kishte shpallur vendet e origjinës – Bangladeshin dhe Egjiptin – si “të sigurta”, gjë që mundësonte një procedurë të përshpejtuar. Por dy javë më parë, Gjykata Evropiane kishte vendosur se një vend nuk mund të konsiderohet “i sigurt” nëse ka përjashtime. Duke u mbështetur në këtë vendim, një gjykatë në Romë e shpalli procedurën e përshpejtuar të paligjshme. Azilkërkuesit u transferuan në procedurën e zakonshme italiane për azil – një goditje për Melonin dhe Ramën.
Qeveria italiane apeloi menjëherë vendimin dhe u përpoq të përshtatë kuadrin ligjor. Por edhe në transferimet e radhës – në fund të 2024-s dhe janar 2025 – gjykatat italiane refuzuan ndalimin e 73 azilkërkuesve në Shqipëri. Ata u kthyen brenda pak ditësh në Itali. Në fund të marsit 2025, Meloni njoftoi se objektet shqiptare do të përdoren si qendra paraburgimi për persona që u është refuzuar përfundimisht mbrojtja në Itali. Me këtë ndryshim, në prill mbërritën në Shqipëri 40 burra të kombësive të ndryshme – të gjithë me kërkesa të refuzuara. Sipas ligjit italian, ata mund të mbahen deri në 18 muaj, derisa të dëbohen. Për herë të parë, një vend anëtar i BE-së transferon azilkërkues të refuzuar në një vend të tretë që nuk është as vend origjine e as tranziti. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e përshëndeti marrëveshjen si një shembull të “ndarjes së drejtë të përgjegjësive” mes BE-së dhe vendeve partnere.
Qëndrueshmëria e pushtetit të Melonit varet nga menaxhimi i migracionit. Ajo fitoi zgjedhjet me premtimin për të ndalur imigrimin e paligjshëm në bregdetin italian – por deri më tani nuk ka arritur rezultate të dukshme. Edi Rama mund ta ndihmojë të fitojë sërish – dhe ajo, në këmbim, mund t’i ndihmojë të realizojë premtimin për anëtarësim në BE. Kjo do të ishte e pazakontë në rrethanat aktuale të Shqipërisë, sepse mangësitë institucionale janë të mëdha. Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës në shkurt ishte një moment i errët për Partinë Socialiste në pushtet. Erion Veliaj – anëtar i kryesisë së PS dhe i afërt me Ramën – u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe krim të organizuar. Ai akuzohet për marrje ryshfeti në nëntë raste, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave. Raporte nga organizata të njohura ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria është një “qendër” e krimit të organizuar ndërkombëtar – dhe pozita gjeografike luan rol kyç.
Qasja e Shqipërisë në Adriatik dhe rrjetin global të tregtisë detare krijon mundësi për trafik të paligjshëm. Veçanërisht kokaina nga Ekuadori identifikohet si burim parash për rrjetet kriminale shqiptare. Paratë pastrohen në ndërtim – gjë që shfaqet në formën e ndërtesave moderne, por të pabanuara, me çmime të papërballueshme për popullatën. Edhe karburantet dhe ushqimet janë të shtrenjta, ndërsa pagat të ulëta. Turizmi në lulëzim ka ndikim pozitiv ekonomik, por çon në rritje çmimesh dhe nuk krijon vende pune lokale. Mbrojtja sociale mbetet e dobët – një tregues kyç për zgjerimin e BE-së që Shqipëria nuk e përmbush. Po ashtu, po ndodh një “braindrain” dramatik. Të rinjtë e arsimuar po largohen në masë – një humbje kapitali njerëzor që vetëpërkeqësohet: pa mjekë, infermierë dhe profesionistë, cilësia e jetës bie më tej. Shqipëria mund të jetë politikisht në rrugë drejt Evropës, por ekonomikisht, shoqërisht dhe juridikisht gjendet në një krizë – duke e bërë të lëkundur rrugën për një anëtarësim të besueshëm.
**Por në kohë të marrëveshjeve politike “alla Trump”, besueshmëria e brendshme dhe standardet ligjore humbasin peshë. Edhe në Evropë dominon logjika “dorë pas dore”: marrëveshja mes Giorgia Melonit dhe Edi Ramës ndjek pikërisht këtë model. Migracioni shndërrohet në monedhë politike, normat ndërkombëtare interpretohen me fleksibilitet. Edhe qeveria e re gjermane në marrëveshjen e koalicionit për zgjerimin e BE-së formuloi vetëm që reforma e parimit të konsensusit të ketë përparësi. Por si do të realizohet kjo reformë, nuk thuhet. Shqipërisë i mbetet vetëm të ofrohet si partner i gatshëm në politikën e migracionit për të hyrë në BE. Që këtu bëhet fjalë për njerëz dhe e drejta ndërkombëtare shtrembërohet, duket se është e pranueshme. Ironia më e madhe e kursit shqiptar: një vend që vuan nga emigracioni masiv, tani pranon migrantë të tjerë – jo për arsye humanitare, por për kalkulim gjeopolitik. Formula është: Duhet të dalin të tjerët nga BE, që ne të hyjmë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Ipg-journal”
Lini një Përgjigje