
Jozefina Topalli ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa u sulmua nga Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit që ky i fundit mbajti në atë që u njoftua si festa e fitores së PS-së në zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesja Politike e PD-së në Diasporë, e cila garoi në listën e mbyllur të Tiranës për deputete në 11 maj, ka publikuar një dokument lidhur me votat e shqiptarëve që kanë votuar me postë në Qarkun e Beratit.
Duke mos zgjedhur t’i përgjigjet akuzave të Ramës në mënyrë të drejtpërdrejtë, Topalli shkruan se votat e ardhura nga Greqia për Beratin ishin 90% në favor të PS-së, ndërkohë që votuesit në të njëjtin qark që jetojnë në Shqipëri, i dhanë Partisë Socialiste vetëm 57%.
“Na falni, por duhet ta pranojmë: kemi hyrë në epokën e mrekullive elektorale!
Nëse PS merr 57% në Berat, por 90% nga “Berati në Athinë”, nuk kemi të bëjmë me mobilizim të diasporës, por me mobilizim të zarfit nga selia.
Ky nuk është mobilizim. Kjo është manipulim me GPS të fikur, ku zarfi nuk pyet për bindje, por për “bindjen e atij që e mbush”.
Duket se diaspora paska parë ndriçimin që s’e shohin dot qytetarët në Berat.
Shkëlqimi i Beratit është aq i fortë, sa të verbon… edhe fletën e votimit.
Pra, ndodh që emigrantët në Greqi duan më shumë qeverinë sesa vetë familjarët e tyre në Berat.
Zarfi nuk e gjeti emigrantin – zarfi e zgjodhi vetë votën.
As Cambridge Analytica, as ndihmësit e Putinit, s’do guxonin të prodhonin 90% përqindje në ajër – me zarfa të “vetëvotuar””, shkruan Topalli.

Lini një Përgjigje