TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Qershor 2024, 20:00

‘Pasarelë mode’ në qendrat e emigrantëve, fushata elektorale e dështuar e Melonit në Shqipëri!

Shkruar nga Federica Olivo
‘Pasarelë mode’ në qendrat e emigrantëve, fushata
Rama-Meloni

Një udhëtim i shpejtë, në mëngjesin e vonë të 5 qershorit: më shumë një reklamë zgjedhore sesa një pikë kthese për kryeministren italiane.

Giorgia Meloni është gati të fluturojë drejt Shqipërisë, tre ditë para mbajtjes së votimeve për zgjedhjet evropiane, për të ushqyer më tej narrativën e menaxhimit të emigrantëve që i është besuar vendit të qeverisur nga Edi Rama. Kryeministrja do të qëndrojë disa orë në Shqipëri gjatë “Javës së Italisë”, një aktivitet kulturor që do të përfundojë më 7 qershor.

Ajo ka në axhendën e saj dy takime thelbësore: një takim me Edi Ramën dhe një vizitë në zonat ku duhet të ndërtohen qendrat e emigrantëve që do të mirëpresin 3 mijë persona në vit. “Nuk do të inaugurojë asgjë”, bëjnë të qartë burime pranë saj, duke konfirmuar në mënyrë implicite atë që është shkruar disa herë: dy qendrat që duhet të ishin plotësisht funksionale përpara votimit të 8 dhe 9 qershorit nuk janë ende gati. Në veçanti, struktura e Gjadrit është ende në det të hapur, pasi qendra që do të merret me procedurat e përshpejtuara kufitare dhe zona që do të përdoret si burg, nuk janë gati.

Siç kanë denoncuar partitë opozitare, puna në këtë zonë sapo ka filluar. Dhe, sipas burimeve shqiptare, struktura nuk do të jetë gati për disa muaj. Fillimisht nuk pritej që kryeministrja të shkonte në Gjadër, pikërisht sepse aty nuk ka asnjë rezultat për t'u mburrur, por orët e fundit disa burime qeveritare shprehen se edhe ai vend të mund të vizitohet prej saj.

Meloni, ndoshta e shoqëruar nga ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, do të vizitojë fillimisht strukturën që e lejon të vendosë disa flamuj. Ajo është pika pranë portit të Shëngjinit. Punimet për këtë qendër janë prapa afatit, por shumë më përpara se ato të Gjaderit. Punonjësve të shtetit italian që do të duhet të punojnë në qendrën ngjitur me portin, u njoftuan pak ditë më parë se qendra nuk mund të hapet para fundit të korrikut. Por është një parashikim optimist, duke qenë se shenjat e shumta tregojnë se do të vihet në funksion jo më herët se vjeshta.

Sipas ANSA, analizat e kostove të zbuluara ditët e fundit nga Ministria e Brendshme, flasin për anije me qera që do të nisin në shtator dhe do të përfundojë në dhjetor transportimin e refugjatëve. Nëse nuk gjendet një mjet tjetër transporti për muajt e verës, pothuajse e gjithë vera do të kalojë me qendrat përtej Adriatikut të mbyllura.

Meloni, pra, nuk do të jetë në gjendje të presë asnjë shirit, por do të tentojë të dërgojë një sinjal. Dhe në këtë drejtim është edhe vendosja e 20 policëve të parë italianë në Shëngjin, që do të marrin kontrollin e pikës kufitare. “Do të ruajnë një strukturë bosh”, thonë për 'HuffPost' burime të sindikatës së policisë.

Mes agjentëve ka një debat për shpërblimin që do të marrin këta burra e gra me uniformë, të shkëputur nga Roma dhe Napoli. Në mënyrë abstrakte, na shpjegohet, njëqind euro shtesë në ditë nuk do të ishin aq pak. Problemi është se nuk është ende e qartë se sa do të zgjasin dhe sa të vështira do të jenë turnet e punës.

Ndërkohë që kryeministrja përgatit udhëtimin te miku i saj Edi Rama, dolën shpenzimet shtesë: analiza e tregut nga Ministria e Brendshme flet për 13.5 milionë euro për marrien me qira të një anijeje për tre muaj. Anija duhet të marrë emigrantët, tre ose katër herë në muaj, nga Lampedusa në Shëngjin. Pritet një udhëtim prej më shumë se dy ditësh: lundrimi, në fakt, do të zgjasë rreth 50 orë në një drejtim.

Është interesante se për çdo udhëtim prej 200 emigrantësh do të ketë 100 operatorë. Një për çdo dy persona. Një element tjetër që zbulon se si kostot do të tejkalojnë ndjeshëm përfitimet. Megjithatë, ajo që ka rëndësi për Melonin, është t'u dërgojë një sinjal votuesve të saj përpara një votimi vendimtar. /Përshtati “Pamfleti” nga “Huffington Post Italia

Lini një Përgjigje