Mbyllja e dosjes për Berishën, duket se është kambanë alarmi për një tjetër emër... Ilir Metën
Ashtu sikundër pritej, pas politikës edhe SPAK u ka dhënë fund pushimeve të verës. Kjo vjeshtë do të jetë e nxehtë për politikën dhe prokurorët kanë nisur me dosjet e vjetra. Sot u bë e ditur se ish-kryeministri, Sali Berisha është thirrur në prokurori ditën e mërkurë bashkë me dhëndrin e tij, ku pritet që të merren të pandehur zyrtarisht për aferën "Partizani".
Atyre do t'u komunikohen akuzat, teksa më pas dosja do të paraqitet në gjykatë. SPAK duket se ka vendosur të mos kërkojë më zgjatje hetimesh dhe tani provat janë kopsitur.
Por mbyllja e dosjes për Berishën, duket se është kambanë alarmi për një tjetër emër, Ilir Metën. Sipas burimeve, për dosjet kundër tij, SPAK i ka zgjatur disa herë hetimet dhe në javët në vijim do të konkludohet me akuza konkrete. Meta nuk është marrë akoma nën hetim dhe nuk është çudi që të ketë zhvillime këto ditë, pse jo dhe të kemi arrestime.
Ndryshe nga Berisha, i cili ja hodhi burgut për shkak të moshës, Ilir Meta po jep sinjale se e përballon. Jo më kot po ngjit male dhe bën palestër.
SPAK ka dy dosje paralele për Ilir Metën. Njëra është afera CEZ-DIA dhe në një dosje tjetër janë përmbledhur hetimet për lobimet në SHBA, ndërhyrjet estetike dhe fshehja e pasurisë. Te CEZ-DIA është loja më e madhe dhe mësohet se aty është përfshirë vetë Dumani, duke bërë që të ketë një sekret total. Në SPAK janë pyetur shumë njerëz dhe janë marrë të dhëna si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
Detaji më i ri që doli pak ditë më parë është fakti se është pyetur biznesmeni, Adrian Shatku, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është pyetur për njohjen me Metën dhe familjen e tij. Në verifikimin e Prokurorisë së Posaçme janë edhe komunikimet telefonike mes Shatkut dhe familjes Meta. Dyshohet se ka pasur afera me AKEP në atë kohë, kur ai drejtohej nga babai i Erisa Xhixhos.
Po ashtu janë marrë letër-porosi nga rreth 7 shtete dhe një element tjetër janë përgjimet telefonike dhe SMS-të e gjetura në celularin që ju sekuestrua Monika Kryemadhit. Po ashtu SPAK ka bërë goditje te pasuria. Janë gjetur para dhe prona të fshehura që kur të dalin do tronditin opinionin.
Gojët e liga flasin se si Meta ashtu dhe bashkëshortja e tij në proces divorci Monika Kryemadhi do të jenë nën masë sigurie. Por mbetet të shihet nëse Dumani do të godasë, apo do tërhiqet para presioneve të Metës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje