
Mungesa e vulës së subjektit që ata kandiduan në 11 maj ishte argumenti që KAS përdori për të rrëzuar kërkesat e paraqitura nga 4 kandidatët e koalicionit ‘PD-ASHM’ për numërimin e votave preferenciale në Qarqet Tiranë dhe Durrës.
Aulon Kalaja, Ilir Alimehmeti, Lisandër Hoxha dhe Mimoza Hajdarmataj kërkuan rinumërimin e votave preferenciale me pretendimin se ka pasur parregullsi që cënonin renditjen e tyre në listat e hapura të subjektit ‘PD-ASHM’.
Por kërkesa e paraqitur nga 4 kandidatët nuk mbante vulën e subjektit që ata përfaqësonin, më konkretisht Partisë Demokratike. Dhe ky ishte argumenti që 4 anëtarët e KAS, dy nga PS dhe dy nga PD, konkretisht Elvin Lako, Koli Bele, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, të bashkonin votat dhe të rrëzonin kërkesat e 4 kandidatëve. Ndërkohë i vetmi që u shpreh në favor të rinumërimit ishte Ilir Rusmali.
Nga kandidatët që paraqitën kërkesat për rinumërim, Ilir Alimehmeti në Tiranë dhe Aulon Kalaja në Durrës, mund të ishin të vetmit që mund të rrezikonin ndryshime në listat e kandidatëve për deputet. Alimehmeti në Tiranë mund të rrezikojë mandatin e dytë të partisë ‘Mundësia’, por edhe një përmbysje të listës së kandidatëve të koalicionit ‘PD-ASHM’, ndërsa Kalaja në Durrës mund të rrezikojë vendin e Arjan Ndoj.
Pas vendimit të KAS duhet pritur nëse subjektet që ata i mbështesin, pra në rastin konkret PD, do t’I drejtohet këtij institucioni për të kërkuar rinumërim votash ose jo. Nëse nuk i drejtohet atëherë me shumë gjasë as vetë PD e Sali Berishës nuk është e interesuar që t’I hyjë një rruge që mund të hedhë dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur me votat preferenciale. Dhe argumenti për të mos kërkuar rinumërimin mund të justifikohet me faktin se PD nuk njeh rezultatin zgjedhor, apo sikundër Berisha e cilëson ‘farsa zgjedhore’. Por në anën tjetër kjo mund të çojë në një ‘ndarje’ mes forcës politike dhe emrave që garuan për të, që sot nuk po arrijnë të ri-kontrollojnë votat e tyre.
Lini një Përgjigje