TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Maj 2025, 16:33

“BE po mashtron Ballkanin Perëndimor”, presidenti kroat zbulon skenarin; a rrezikon edhe Shqipëria të mbetet jashtë?

Shkruar nga Pamfleti

“BE po mashtron Ballkanin Perëndimor”, presidenti kroat zbulon

Zoran Milanoviç, i njohur si aleat i Vladimir Putin, i konsideron si premtime boshe ato të Brukselit për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke theksuar se Unioni po synon të marrë lëshime politike nga këto vende veçanërisht në përputhje me qëndrimin ndaj Moskës…

Presidenti kroat Zoran Milanoviç duket se ka zbuluar një skenar të Brukselit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur tha se asnjë anëtar i ri nuk do t’I bashkohej Bashkimit Europian. Milanoviç paralajmëroi se vendet aspirante për në BE po mashtroheshin nga Brukseli, për të cilin tha se po i ofronte premtime boshe Ballkanit Perëndimor lidhur me anëtarësimin.

Duke folur para studentëve në Universitetin e Veriut në Koprivnica, Milanoviç i cilësoi premtimet e zgjerimit të BE-së si “të rreme”, ndërsa theksoi se ato bëheshin për të marrë lëshime politike, veçanërisht në përputhje me qëndrimin ndaj Moskës.

Ai shtoi se vendet individuale pritet të përshtasin politikën e tyre të jashtme sipas interesave të Perëndimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për përballjen me Rusinë, raporton klix.ba.  

Mediat lokale në Kroaci i bënë jehonë deklaratave të Presidentit kroat, i cili u shpreh se edhe Gjeorgjia, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike, do të përballet me një fat të ngjashëm.

Deklaratat e Milanoviçit duket se hedhin poshtë edhe projektin ‘Shqipëria 2030 në BE” që u lançua fort nga Edi Rama gjatë fushatës së 11 majit, duke u bërë edhe kryefjala e të gjithë fushatës nga ana e Kryeministrit që mori mandatin e 4-t rradhazi për të qeverisur vendin.

Shqipëria, referuar edhe deklaratave të burokratëve të Brukselit është shfaqur si një nga favoritët në procesin e pranimit në BE dhe mund t'i bashkohet bllokut deri në fund të kësaj dekade. 

Paralajmërimet e Presidentit kroat vijnë në një kohë kur Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, tha se brenda mandatit tim do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Na duhet që të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në Qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Më pas do të fillojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces shumë i rëndësishëm”, tha komisionerja Marta Kos.

Udhëheqës politikë nga Kroacia, Sllovenia dhe anëtarët e BE-së në rajonin më të gjerë të Evropës Qendrore dhe Juglindore kanë bërë presion për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Ata përfshijnë kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, rivalin kryesor politik të Milanoviçit.

Pavarësisht premtimit të samitit të Selanikut në vitin 2003 për anëtarësim përfundimtar të rajonit, asnjë nga gjashtë kandidatët e Ballkanit Perëndimor - Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi – ende nuk janë anëtarësuar.

Ndërsa Serbia ka qenë kandidate zyrtare e BE-së që nga viti 2012, ajo nuk ka hapur asnjë kapitull të vetëm negociatash që nga viti 2021. Beogradi është kritikuar gjithashtu nga zyrtarët e BE-së për dështimin në përputhje me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. 

Ndërkohë, përparimi i Maqedonisë së Veriut është penguar nga mosmarrëveshjet dypalëshe fillimisht me Greqinë dhe së fundmi me Bullgarinë.

Por përveç komenteve të tij mbi zgjerimin, presidenti kroat pati edhe kritika më të gjera për Bashkimin Evropian. “Evropa nuk është më forca që ishte dikur”, tha Milanoviç, duke shtuar se kontinenti ia kishte lënë Shtetet e Bashkuara dhe Kinës lidershipin global në inovacion dhe ndikim në treg.

Evropa shkon në Kinë dhe jep leksione mbi të drejtat e njeriut, në vend që të flasë për shitjet e makinave evropiane, shitjet e të cilave janë në rënie të ndjeshme”, tha ai.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Milanoviç e karakterizoi konfliktin si rraskapitës, duke ia atribuar shpërthimin e tij këmbënguljes perëndimore që çdo vend të zgjidhte aleancat e veta ushtarake dhe duke e larguar kështu Kievin nga Moska.

Milanoviç është përplasur vazhdimisht me Plenkoviçin dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së udhëhequr nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) për mbështetjen e Zagrebit për Ukrainën.

Ai ka kundërshtuar mbështetjen e fortë të qeverisë për Kievin, një qëndrim që e ka vënë atë në kundërshtim me aleatët perëndimorë të Kroacisë.

Ai kritikoi gjithashtu politikën amerikane ndaj Izraelit, duke argumentuar se "mbështetja e pakushtëzuar" amerikane për regjimin, në vend të popullit të tij, kishte nxitur atë që ai e quajti terrorizëm kundër palestinezëve.

"Njeriu i bardhë duhet ta kuptojë sa më shpejt të jetë e mundur se ai nuk është qendra e botës dhe se të gjithë do të jemi më mirë", tha ai, duke u tallur se në Shtetet e Bashkuara nuk ka ndodhur kurrë grusht shteti sepse "nuk ka ambasadë amerikane atje". /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje