
Anëtar i këshillit bashkiak të PS, Halit Valteri ka komentuar paraqitjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK për inceneratorin e Tiranës.
Valteri tha tha se Veliaj nuk dukej aspak i shqetësuar për situatën, ndërsa theksoi se e ka për detyrë të shkojë në SPAK për të bërë sqarime.
“Nuk trembemi nga Gaz Bardhat. Nuk ka çfarë të bëjë gjë tjetër. Kryetari i bashkisë nuk mu duk aspak i shqetësuar. Në SPAK e ka detyrim që të shkojë. Ka për detyrë të shkojë në SPAK të bëjë sqarime”, tha Valteri për Report TV.
Nëse SPAK do të kishte një indicie që Veliaj ka shkelur ligjin, sipas Valterit, nuk do ta kishte kursyer.
“Nëse Veliaj ka shkelur ligjin të japë llogari para ligjit. Këtu kemi një drejtësi që nuk pyet as për Veliajn as për Ramën e as për Metën e Berishën. SPAK është i amerikanëve, është investim amerikan, dhe nuk do të dijë kush je. Nëse SPAK do kishte një indicie të vogël që Veliaj është përfshirë në këto allishverishe nuk do ta kursente. Nëse do kishim pasur një centimetër indicie se Veliaj është i përfshirë nuk do ta kishin kursyer”, tha ai.
Një qasje ndryshe ka pasur avokati Përparim Çaça. Referuar deklaratës së Veliajt, i cili tha se ndihej më i lehtësuar pas paraqitjes në SPAK, avokati tha se ka qenë i ngarkuar.
“Mu duk pak i relaksuar. I dukej sikur kanë hequr një peshë, ai ka qenë goxha i ngarkuar dhe ka shkuar e ka dhënë të gjitha sqarimet që ka dashur. A është e vërtetë që ai është thirrur dy tre herë në SPAK dhe nuk ka shkuar dhe pastaj ka kërkuar që të shkojë? Është për t'u shpjeguar kjo. Nëse SPAK e ka thirrur edhe si person që ka dijeni nëse nuk shkon shoqërohet me forcë për të shkuar”, tha ai.
Lini një Përgjigje