Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kundërshtuar propozimet për uljen e numrit të bashkive në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, duke kërkuar rikthimin e komunave dhe forcimin e demokracisë vendore.
Gjatë një dëgjese qytetare për Reformën Administrative, Malaj kritikoi edhe mënyrën e organizimit të takimit, duke theksuar se pjesëmarrësit janë njoftuar me vonesë.
“Mos na lajmëroni vetëm një ditë përpara, sepse ne nuk jemi pica taksi. Të përgatitemi duam kohë,” u shpreh ai.
Sipas Malajt, decentralizimi është thelbësor për funksionimin e demokracisë dhe afërsia e institucioneve me qytetarët ndihmon në uljen e deficitit demokratik. Ai hodhi poshtë argumentin se Bashkimi Europian kërkon një numër të kufizuar njësish vendore, duke theksuar se nuk ka një standard të tillë për numrin e bashkive apo komunave.
Një nga pikat kryesore të qëndrimit të tij ishte kritika ndaj njësive administrative, të cilat ai i cilësoi si struktura jo demokratike, por thjesht administrative. Në këtë kuadër, Malaj kërkoi që komunat të rikthehen dhe drejtuesit e tyre të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët.
Ai paralajmëroi se ulja e numrit të bashkive mund të ketë pasoja negative për zonat rurale.
“Çdo reformë që do të ketë qëllimin të ulë numrin e bashkive dhe komunave do të jetë një dështim i dytë,” deklaroi ai.
Malaj vuri në dukje gjithashtu se problemet nuk lidhen vetëm me ndarjen territoriale, por edhe me mënyrën se si funksionojnë institucionet, duke theksuar rëndësinë e cilësisë së drejtimit të tyre.
Arben Malaj: Përshëndetje dhe faleminderit, komisionit dhe qytetarëve, por mos na lajmëroni vetëm një ditë përpara, sepse ne nuk jemi pica taksi. Të përgatitemi duam kohë. Nëse flitet për decentralizim, flitet për demokraci dhe demokracia lokale përcaktohet si gjaku i demokracisë në nivel vendor.
Sa më afër qytetarit të jemi në reformat që bëjmë, aq më i vogël bëhet deficiti demokratik. E dyta shpesh përdorni alibinë se BE do rajone të mëdha me mbi 800 mijë vetë, por nuk ka asnjë kufizim sesa numër bashkish dhe komunash duhet të ketë brenda këtij koncepti.
E treta keni konceptin e njësisë administrative, është nuk është demokratik, por administrativ. Duhet të ktheni komunat, t’i zgjidhni vetë kryetarët e tyre dhe të mos keni merak për kapacitetet, sepse në fund të fundit e dimë se BE punon me parimin e zëvendësimit.
Kur dështon lagjja, përgjigjet komuna, kur dështon komuna, përgjigjet qarku, kur dështon vendi, përgjigjet BE me të gjitha mjetet dhe ndihmat e tij që të mos cenohet jeta e qytetarëve. Nëse këto parime nuk mbahen parasysh, situata është shumë kritike.
Tjetra, z.Mazniku situata nuk është aq rozë sa ju e paraqisni, sidomos në Vlorë. Richard Mollet, që ka themeluar BE, thotë se institucionet janë shumë të rëndësishme, por njerëzit të cilëve u besohen këto institucione janë më tepër të rëndësishme. Nëse mungon demokracia, vjen autokracia. Të mos merremi me territorin, bashkia organigramë dhe kjo e fundit ka struktura.
A do të ketë komuna e bashki në vështirësi? Do të ketë, prandaj bën rishpërndarje shteti, duhet të përdorë si duket taksat e qytetarëve. Unë kam mbrojtur idenë se shkurtimi i bashkive do të varfërojë fshatrat. Çdo reformë që do të ketë qëllimin të ulë numrin e bashkive dhe komunave do të jetë një dështim i dytë.
Lini një Përgjigje