
Ish-kryeministri Berisha ka sulmuar Gjykatën e Lartë, pasi ka refuzuar rekurset e bëra nga ai dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Ish-kryeministri tha se Gjykata e Lartë po funksionon në mënyrë identike si një seksion i partisë së krimit, duke iu referuar Partisë Socialiste.
Sipas Berishës, rrëzimi i rekursit të tij dhe Jamarbër Malltezit, faktoi se sot Shqipëria e Edi Ramës është një diktaturë e shëmtuar, një regjim karikatur, një regjim të cilin ne duhet ta fshijmë nga faqja e dheut.
“Shqipëria sot u faktua ashtu siç është, Shqipëria e Edi Ramës, një diktaturë e shëmtuar, një regjim karikatur, një regjim të cilin ne duhet ta fshijmë nga faqja e dheut, me vrullin, idealet dhe guximin tonë.
Sot gjykatësit vasal të Gjykatës së Lartë, pengje mjerane të Edi Ramës zbatuan urdhrat e skapit të partisë dhe u bënë palë me puçin konstitucional, me marrjen e pushtetit nga gjykatës që nuk kanë ligj e as moral dhe vendosën të mos shqyrtojnë apo hodhën poshtë ankesat e avokatëve të mi dhe Jamarbër Malltezit.
Ky ishte një akt mjeran, një akt i turpshëm, por askush nuk mund të priste tjetër gjë. Imagjinoni miq.
Dy prej këtyre gjykatësve janë ata që 10 ditë më parë firmosën për të detyruar gazetarët të tregojnë burimet e lajmeve, në një kohë që po këta të dy 1 vit më parë kishin firmosur të kundërtën që gazetarët nuk duhet dhe nuk mund të tregojnë burimin sepse kjo cenon rëndë të drejtën e informacionit dhe lirinë e shprehjes.
Çfarë ndodhi në harkun kohor rreth 1 vjeçar.
Në harkun kohor rreth 1 vjeçar, pushteti mafioz i Edi Ramës me Sadushin e tij u bë absolut në Gjykatën e Lartë.
Sot kjo gjykatë funksionon në mënyrë identike si një sesion i partisë së krimit, i PS-së.
Ata nuk gjykojnë më në salla, nuk gjykojnë më me palë, nuk gjykojnë më me avokatë dhe paditës, ata gjykojnë vetëm me njëri-tjetrin në salla të mbyllura, sikur të ishin koska mafioze të PS-së”, tha Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetësve.
Gjykata e Lartë ka refuzuar rekurset e bëra nga ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, si dhe rekursin e Prokurorisë së Posaçme që kërkonte rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit.
Lini një Përgjigje