TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Prill 2024, 12:55

Njëzet vite nga zgjerimi i madh, çfarë i mungon sot BE për ta përsëritur atë sukses

Shkruar nga Francesco Bortoletto
Njëzet vite nga zgjerimi i madh, çfarë i mungon sot BE për
Yasar Yakis, Rexhep Taip Erdogan, Romano Prodi dhe Günter Verheugen /

Hyrja e anëtarëve të rinj në orbitën evropiane, cilësohet haptazi si një mjet gjeopolitik për të stabilizuar kontinentin, dhe për të frenuar synimet imperialiste të Vladimir Putinit si dhe kundër ndikimit ekonomik të Pekinit.

Më 1 maj Bashkimi Evropian kremton zgjerimin më të madh në historinë e tij: zgjerimin e tij të pestë në lindje të vitit 2004-ës, i quajtur edhe si “Big Bang” për shkak të përmasave që mori. 75 milionë qytetarë të rinj dhe 10 vende hynë në BE, duke e çuar këtë të fundit nga 15 në 25 anëtarë.

Më pas unioni i zgjerua në 27 anëtarë 3 vjet më vonë, kur hynë edhe Bullgaria dhe Rumania. Estonia, Letonia dhe Lituania ishin ish-republika sovjetike. Çekia, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, kishin qenë dikur pjesë e Paktit të Varshavës. Sllovenia po dilte nga katastrofa e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ndërkohë Qiproja dhe Malta, kishin qenë koloni britanike (e para është ende e diskutueshme midis grekëve dhe turqve, një rast unik në BE). Disa muaj më parë, kishte pasur një zgjerim paralel në Kontinentin e Vjetër. NATO kishte mirëpritur Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë, ndërsa Çekia, Polonia dhe Hungaria i ishin bashkuar që në marsin e vitit 1999.

Zgjerimet e NATO-s dhe BE-së, i dhanë një përmbajtje konkrete ëndrrës së periudhës së paharrueshme dyvjeçare 1989-1991, e cila e ndryshoi fytyrën e Evropës:rënia e Perdes së Hekurt dhe hapja e kufijve midis shteteve qendrore dhe lindore të kontinentit, shembja e Murit të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë dhe shembja në prag të Krishtlindjeve e Bashkimit Sovjetik pas puçit të dështuar të gushtit 1991.

Në këtë kuadër, javën e kaluar u organizua një ceremoni solemne gjatë seancës së fundit plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg. Përveç eurodeputetëve, e pranishme ishte edhe presidentja në largim e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe shumë nga protagonistët e atyre ditëve: kryeministra, ministra të jashtëm dhe presidentë të dhjetë vendeve në detyrë 20 vjet më parë, plus presidenti i atëhershëm i KE, Romano Prodi, si dhe Komisioneri i atëhershëm për Zgjerimin, Günter Verheugen.

“Ishte një lloj mrekullie, që sot nuk do të ishte e mundur të përsëritej”- thotë ish-komisioneri Verheugen për Linkiesta. Pse? “Sepse në atë kohë, kishte një angazhim shumë të fortë si nga shtetet e BE-së, ashtu edhe nga vendet kandidate”- shpjegon ai.

Diçka që sot nuk po shihet. Dy dekada më parë, kishte një entuziazëm të vërtetë për zgjerimin. Ideja e një Evrope të bashkuar, po realizohej pas shekujsh konfliktesh të brendshme, dy luftërash botërore dhe Luftës së Ftohtë. Zgjerimi i BE-së, nënkuptonte projektimin (të paktën teorikisht) edhe në ish-Bllokun Lindor të misioneve të paqes dhe stabilitetit, demokracisë dhe prosperitetit ekonomik.

Mbi të gjitha, ishte njëri nga dimensione që e udhëhoqi atë proces: nevoja për të stabilizuar atë pjesë të kontinentit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, për ta riorganizuar dhe strukturuar atë duke e integruar në familjen evropiane.

Presidentja e atëhershme e Estonisë (gruaja e parë që mbajti këtë post), Vaira Vīke-Freiberga, kujton: ”Për ne baltikët, pranimi në BE do të thoshte të largoheshim sa më shumë nga Moska. Meqë nuk mund ta zhvendosnim vendin tonë në hartë, duhej ta bënim këtë politikisht. Dhe Kremlini u përpoq të pengonte dhe ngadalësonte integrimin tonë në Evropë”.

Këto kujtime, sollën sërish në plan të parë debatin e zgjerimit. Për momentin, në dyert e Bashkimit Evropian janë Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe një pjesë e mirë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Ashtu si në vitin 2004, në mos edhe më shumë, sot zgjerimi i klubit konsiderohet unanimisht si një mision strategjik: hyrja e anëtarëve të rinj në orbitën evropiane, cilësohet haptazi si një mjet gjeopolitik për të stabilizuar kontinentin, dhe për të frenuar synimet imperialiste të Vladimir Putinit si dhe kundër ndikimit ekonomik të Pekinit.

Ish-Ministri i Jashtëm i Lituanisë Antanas Valionis, e konfirmoi qartë këtë për Linkiesta: “Është e vështirë të thuash se ku do të ishte vendi im tani, nëse nuk do të ishte anëtarësuar në Evropë dhe NATO. Sepse po e shohim se çfarë ndodhi me miqtë tanë të vjetër në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë. Të gjitha vendet që nuk kanë hyrë ende në aleancat evropiane apo euroatlantike, janë sot në telashe të mëdha”.

Lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka. Por kur diskutohet për një zgjerim të ri të familjes evropiane, Ukraina është një kapitull jo pak delikat. Dhe kjo për arsye të ndryshme, jo vetëm të natyrës ushtarake. Verheugen thotë se “BE-ja u tregua shumë e ngadaltë në ofrimin e një perspektive konkrete për anëtarësim në Ukrainë, dhe nuk e nxiti seriozisht Kievin që të ndërmerrte me vendosmëri rrugën e reformave të nevojshme për të hyrë në Bashkim”.

“Natyrisht, është një vend që ka probleme serioze strukturore si korrupsioni i madh, ndikimi i tepruar i oligarkëve, një bazë relativisht të dobët ekonomike. Por këto nuk janë arsye për refuzimin e anëtarësimit. Ne duhet t’u kishim ofruar ukrainasve një perspektivë të qartë dhe të besueshme shumë kohë më parë. Tani e kemi bërë, por është e qartë se është një lëvizje në thelb simbolike. Përderisa atje ka luftë, nuk mund të ketë përparim real”- arsyeton ish-komisioneri.

Pro problemet nuk janë vetëm tek Ukraina. Situata jashtë kufijve të BE është në përgjithësi shumë më e vështirë sot se sa 20 vjet më parë. Nga njëra anë, është problemi i ndërhyrjes ruse në të ashtuquajturën hapësirë post-sovjetike. Depërtimi i Kremlinit në Gjeorgji është një nga shembujt më domethënës.

“Popullsia atje gjithmonë ka shfaqur një dëshirë të zjarrtë për të hyrë në Evropë. Ajo është ndjerë gjithmonë evropiane. Por përpjekjet ruse për të ndikuar politikisht në vend kanë qenë të suksesshme”-thotë Vīke-Freiberga. Në Moldavi, problemet janë mbi të gjitha ekonomike. Kishinau ka lidhje shumë të forta ekonomike me Rusinë dhe mbetet i ndërvarur prej Moskës.

Nga ana tjetër, është çështja e Ballkanit Perëndimor. Vendet kandidate në këtë rajon, e morën këtë status disa vite përpara Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, por procesi i anëtarësimit të tyre ka ngecur.

Dhe përgjegjësitë për këtë janë të përbashkëta. Është e vërtetë që këto vende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm, duke vonuar reformat e rëndësishme. Por është gjithashtu e vërtetë, thekson Verheugen, se as Brukseli nuk ka qenë në gjendje të menaxhojë procesin: ”Ballkani mori një premtim që në vitin 1999. Por unë nuk kam parë ndonjë strategji apo ambicie të madhe nga ana e BE-së për ta mbajtur këtë premtim. Pritshmëritë nuk u realizuan, dhe nuk është e vërtetë se Ballkani po i afrohet tani Evropës. Këto vende janë ende shumë larg, nuk kanë bërë shumë progres, por as ne kemi bërë ndonjë gjë për ta afruar anëtarësimin e tyre”.

Me pak fjalë, ajo që i ka munguar Evropës vitet e fundit, është një projekt afatgjatë se si të (ri)organizohet një kontinent që po tronditet shumë fort. Ish-komisioneri i zgjerimit është i bindur për këtë: “Ajo që na duhet sot është një strategji reale, një vizion politik. Çfarë duam të arrijmë? Kur duam ta arrijmë? Ne kemi nevojë për objektiva të qarta dhe një udhërrëfyes të qartë. Na duhen përpjekje të koordinuara nga të gjithë aktorët e përfshirë”.

Për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, do të jetë e nevojshme të kryhen analiza të qëndrueshme mbi konvergjencën midis anëtarëve të rinj potencialë dhe BE-së me 28 anëtarët aktualë, të cilat duhet të shoqërohen me një planifikim të kujdesshëm për të shmangur hapat e gabuar (si përpara ashtu edhe pas anëtarësimit), dhe me një parashikim sa më të përshtatshëm të ndikimeve ekonomike të procesit .

Çështja thelbësore që duhet të trajtojnë diskutimet për një zgjerim të ri, i çfarëdolloj përmase qoftë, është ajo e reformave. Ne duhet të ri-mendojmë funksionimin e një BE-je që ka lindur me struktura të ankoruara, në një botë që sot nuk ekziston më.

Që të vazhdojë të jetë efektiv me 30 ose më shumë anëtarë, klubi evropian nuk mund të mbajë të njëjtat rregulla që ndiqte kur kishte 10 anëtarë. Duhet një përditësim i politikë-bërjes, por edhe një riformulim  i strukturës institucionale të BE-së. Në këtë kuadër, kemi dilemën e vjetër midis zgjerimit dhe thellimit të integrimit evropian.

“Ne duhet të vendosim se si t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, përpara se të shkojmë më tej, dhe unë nuk shoh një oreks të qartë për asnjë nga këto opsione. Është thelbësore të ketë një debat serioz në nivelin e opinionit publik evropian për këtë pikë.

Mbi të gjitha, unë besoj se duhet të jemi të sinqertë me veten dhe të kuptojmë realitetin: në rast se duam të jetojmë në paqe në kontinentin tonë, nëse duam të luajmë një rol në skenën ndërkombëtare dhe të kemi ndikim në të ardhmen e planetit, atëherë s’kemi alternativë tjetër përveçse ndërtimit të një Evrope sa më të bashkuar”./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”

zgjerimi i madh be 20 vite

Lini një Përgjigje