
Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se zgjerimi është një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Europian.
Gjatë një takimi në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ai ka deklaruar se vetëm reformat radikale mund të sjellin ndryshime rrënjësore.
“Shqipëria ka ndërmarrë reformat më transformuese në drejtësi në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Sundimit i ligjit është thelbësor për zhvillimin dhe mirëfunksionimin e shoqërisë. Vetëm reformat radikale mund të sjellin ndryshime rrënjësore”, tha Hasani.
Ndërsa për Reformën në Drejtësi, Hasani u shpreh se ka sjellë transformim, që ka shënuar kthesë vendimtare për vendin. Hasani shtoi se vendi ynë është i angazhuar në reformat kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe integritetin në administratën publike.
“Shqipëria është e përkushtuar për ta zbatuar në kohë Planin e Rritjes dhe jemi gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare. Presim dritën jeshile nga Këshilli i BE. Është koha që fjalët e premtimet të kthehen në veprime konkrete”, tha ai ndërsa ka kërkuar përshpejtim të integrimit dhe hapjen negociatash për kapitujt.
Lini një Përgjigje