
Mirela Kumbaro gjithashtu është shfaqur e hutuar kur dëgjoi se postin si ministre e Turizmit do ia linte Blendi Gonxhes. Por hutimi i kaloi shpejt, pasi Rama ia artikuloi emrin Kumbaros si ministrja e re e Arsimit...
Kryeministri Edi Rama ka përdorur të njëjtin skenar lidhur me vendimet, veçanërisht në ndarjen e pozicioneve dhe posteve, duke suprizuar emrat që i emëron apo i shkarkon nga detyrat. Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama përmbylli të gjitha emërimet dhe lëvizjet, qoftë në Grupin Parlamentar dhe Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në Qeveri.
Madje zgjodhi që disa ti shokojë dhe të tjerë t’i surprizojë, qoftë edhe për disa minuta.
Shokimin më të madh ndoshta e ka pësuar Ogerta Manastirliu, e cila mbante postin e ministres së Arsimit, kishte edhe mandat deputeteje, por me vendimin e Edi Ramës do të hyjë në garën për Bashkinë e Tiranës.
Në këtë mënyrë, Manastirliu do të synojë pozicionin e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, për të cilin Kryeministri udhëzoi ose urdhëroi anëtarët e Këshillit Bashkiak që t’a shkarkojnë, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës.
Manastirliu nuk e priste, të paktën nga ajo që u shfaq në pamjet ‘live’, ndërsa Edi Rama e cilësoi si një ‘bombë’ vendimin e tij të cilën Ogerta nuk do ia falte.
Një tjetër emër që është surprizuar nga Rama ishte Niko Peleshi. Dikur ministër, por edhe Kryetar i Grupit Parlamentar, Peleshit iu besua pozicioni i Kryetarit të Kuvendit. Peleshi pohoi se nuk ishte në dijeni të një vendimi të tillë, ndërsa për disa sekonda pas artikulimit të këtij vendimi, Elisa Spiropali u fiksua nga kamerat ‘e hutuar’. Peleshi do të merrte vendin e saj në drejtimin e Parlamentit.
Por duket se Rama e zgjidhi shpejt situatën, teksa bëri të ditur kalimin e Spiropalit, ish-drejtoreshës së Doganave në mandatin e parë si Kryeministër dhe më pas ministre e Shtetit dhe Kryetare e Kuvendit, në postin e ministres së Jashtme.
Mirela Kumbaro gjithashtu është shfaqur e hutuar kur dëgjoi se postin si ministre e Turizmit do ia linte Blendi Gonxhes. Por hutimi i kaloi shpejt, pasi Rama ia artikuloi emrin Kumbaros si ministrja e re e Arsimit.
Anila Denaj, Ervin Hoxha, Bora Muzhaqi dhe Igli Hasani u shfaqën gjithashtu si personazhet që nuk bëjnë pjesë në planet e reja të Edi Ramës. Ata do të mbeten thjesht deputetë, edhe pse për Igli Hasanin, në javët e fundit thuhej se do të vijonte të mbante pozicionin e ministrit të Jashtëm.
Por Edi Rama ka bërë të tjera zgjedhje, sikundër veproi në rastin e Arbër Maznikut dhe Ulsi Manjës.
Të dy u larguan nga Qeveria, ndërsa Kryeministri u ka ofruar detyrat e reja. Mazniku do të jetë në krye të Komisionit të Reformës Territoriale, e deklaruar nga kreu i qeverisë si një nga misionet për katër vitet e ardhshme.
Ndërkohë ish-ministri Manja, do te rikthehet si kryetari i Komisionit të Ligjeve.
Mes të surprizuarve, në këtë rast për mirë, është Toni Gogu, I cili në 11 maj nuk arriti të merrte një mandat deputeti, por në 11 shtator, Rama e njoftoi se do të jetë pjesë e qeverisë. Gogu do të mbulojë funksionin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, vendim ky që e ka suprizuar ish-deputetin. Ndoshta i vetmi që duket se e priste apo e kishte nuhatur postin e ri që do të mbajë ishte Taulant Balla. Nga të paktët socialistë "race" që ka mbetur mes Rilindasve të Ramës, Balla u rikthye në krye të Grupit të PS-së, pozicion që e ka mbajtur edhe më parë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje