TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Korrik 2023, 21:22

Nga braktisja e ceremonisë për Klinton, te ligji për “izolimin” e presidentit, çfarë po ndodh në raportet Rama-Begaj?!

Shkruar nga Pamfleti
Nga braktisja e ceremonisë për Klinton, te ligji për
Balluku duke dalë nga Presidenca

Dje Bajram Begaj njoftoi se ishte sëmurë dhe nuk mori pjesë në ceremoninë për Bill Klinton, por sot ai u shërua dhe priti në një takim Belinda Ballukun...

Raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj duket se kanë ndryshuar. Ish-kreu i ushtrisë u zgjodh nga Rama në atë post me një qëllim të vetëm: Të ishte në shërbim të kryeministrit. Prej gati një viti, Begaj e ka kryer mirë këtë detyrë. Por teksa kur po i afrohemi 24 korrikut, ditën kur ai vendosi dorën mbi Kushtetutë, duket se diçka është thyer.

Dje erdhi në Tiranë ish-presidenti i SHBA, Bill Klinton. Ai u prit me një ceremoni para Kryeministrisë, ku nuk munguan shumë figura, mes të cilëve dhe ish-presidentët Moisiu apo Topi. Por mungonte Presidenti i Republikës. Presidenca njoftoi me urgjencë se Begaj kishte probleme shëndetësore dhe nuk mund të ishte aty, argument ky që nxirret gjithmonë për të mos u lënë vend aludimeve. Të gjitha mediat e morën si të mirëqenë, por sot ra ky pretendim.

Në drekë, në Presidencë shkoi numri dy i qeverisë, Belinda Balluku. Ajo pati një takim me presidentin për afro 1 orë. Pra dje Begaj ishte i sëmurë, ndërsa sot u shërua. Në korridoret e politikës flitet se ka pasur një përplasje mes tij dhe qeverisë sa i takon dekorimit të Klinton. Rama e shmangu tërësisht Begajn, duke i dhënë vetë “Yllin e Mirënjohjes”. Ndërkohë në një ceremoni normale, Klinton duhej të dekorohej nga presidenti i vendit. Siç duket Begaj e kuptoi se Rama nuk mund ta linte t’i ikte nga dora ky rast dhe nuk shkoi fare në ceremoni.

Disa orë para ceremonisë, Begaj mori paralajmërimin e parë. Nga oborri i Kuvendit, kreu i grupit të PS, Taulant Balla njoftoi se PS do të dorëzojë një ligj organik për presidentin. Bëhet fjalë për të njëjtin ligj, me të cilin do të disiplinohej Meta.

Ligji për institucionin e Presidentit është domosdoshmëri. Duhet të kujtojmë që ka edhe një radhë çështjesh. Në shtator do të duhet t’i rikthehemi. Ka ardhur koha ta depozitojmë si draft. Nuk bëhet fjalë për kompetenca në ligjin e institucionit të presidentit, kompetencat janë në kushtetutë. Ajo që është e domosdoshme është një ligj për mënyrën e funksionimit të institucionit të presidentit”, tha ai.

Nuk dihet nëse do ketë një variant të ri, apo do të jetë ai që u hartua që kur ishte Meta. Sidoqoftë, ligji i ri do të izolojë presidentin duke mos i lënë shumë shtigje veprimi. Ky ligj duket se gjithashtu ka mërzitur presidentin dhe mësohet se Balluku ka folur me të sot pikërisht mbi përmbajtjen e tij. 

Sipas burimeve, Presidenca e kundërshton fort këtë ligj, pasi duket se Rama po ja vë kufirin te thana Begajt. Ky është akti i dytë pas ligjit që i hoqi dekoratat. Si duket tani po e kupton Bajram Begu se për çfarë arsye u vu në atë post. /Pamfleti

rama begaj ligji

Lini një Përgjigje