
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që Rrogozhina të mbajë më 23 korrik zgjedhjet për kreun e bashkisë. Pas vendimi të Kolegjit Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve, Kryekomisioneri Celibashi mori vendimin që ky proces të ndodhë më 23 korrik.
Pak ditë më parë, Kolegji Zgjedhor vendosi të përsëriten zgjedhjet në Rrogozhinë. Në këtë qytet kandidati i PS fitoi me shumë pak vota diferencë, ndërkohë që opozita ka pasur pretendime se zgjedhjet u manipuluan. KAS rihapi kutinë e burgut ku kishte pretendime, por rezultati nuk ndryshoi. Koalicioni Bashkë Fitojmë ju drejtua Kolegjit Zgjedhor, i cili vendosi përsëritjen e zgjedhjeve.
Më 6 qershor Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të njohë si të vlefshëm votimin e të burgosurve në burgun e Rrogozhinës, pavarësisht pretendimeve dhe provave që solli koalicioni “Bashkë Fitojmë” për paligjshmërinë e ngritjes së Komisionit të Qendrës së Votimit dhe listës së votuesve në këtë QV.
Relatori i çështjes, Ledio Braho shpalli vendimin për “rrëzimin e kërkesës për mospërfshirjen në tabelën e rezultateve për bashkinë Rrogozhinë të rezultatit të zgjedhjeve për Qendrën e votimit 2224/1 të IEVP Rrogozhinë”.
Po të martën e 6 qershorit, KAS vendosi ndryshimin e tabelës së rezultateve për bashkinë Rrogozhinë pas rinumërimit të votave për 55 qendra votimi, duke ngushtuar rezultatin mes dy kandidatëve me vetëm 21 vota më tepër për kandidatin e Partisë Socialiste, Edison Memolla. Kjo bëri që Kolegji të ripërsërisë zgjedhjet.
Sipas tabelës së re të rezultateve, për këtë bashki janë 10237 vota të vlefshme, 273 vota të pavlefshme, 5129 vota për kandidatin Edison Memolla dhe 5108 vota për Shkëlqim Hoxhën e “BF”-së.
Lini një Përgjigje