
Lulzim Basha është ndalur sot në Divjakë, në kuadër të fushatës për kreun e PD. Ai u shpreh i bindur se PD do të ringrihet. Basha para të pranishmëve prezantoi idetë e tij për ndryshimin jo vetëm të PD, por edhe të politikës.
Partia Demokratike po rioganizohet për të qenë në shërbim të shumicës së heshtur të shqiptarëve dhe instrumenti i tyre për ta ndryshuar këtë sistem politik që nuk i përfaqëson më, tha Basha.
“Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë rradhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë te njëjtat vlera me ne:
Për aleancën tonë me partnerët strategjikë;
Për luftën pakompromis ndaj korrupsionit;
Për pastrimin e politikës dhe për t’u dhënë fuqi shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me:
Listat e hapura;
Vetting-un në politikë;
Kufizimin e mandateve;
Votën e diasporës.
Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë, të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që beson në këto vlera. Me këto transformime ne synojme rritjen e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.
Për këtë arsye:
Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;
Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;
Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;
Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.
Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje